Zhdukja e dy motrave Kajtazi, për një fejesë të prishur!

Ngjarja në familjen Kajtazi në Durrës ku dy vajzat adoleshente helmuan prindërit, vodhën reth 5 mll lekë dhe dogjën shtëpinë, mund të ketë pasur si motiv hakmarrjen e 18-vjeçares, Orialda.

Vajza adoleshente, sipas shoqeve të saj, ka ndryshuar sjellje pas ndarjes nga i fejuari. Prindërit e vajzës duket se ishin shkaktarë të prishjes së lidhjes dy vjeçare që Orialda kishte me një djalë nga qyteti bregdetar.  Prej asaj dite Orialda nuk u lejua më të dilte nga shtëpia shpesh dhe ndryshoi sjellje duke u larguar nga miqtë e vjetër dhe duke krijuar njohje të reja.

Nga hetimet e kryera deri tani nga policia e Durrësit rezultojnë që dy vajzat janë ende në Shqipëri dhe dyshohet se strehohen në jug të vendit, në plazhet e bregdetit. Në bazë të sistemit TIMS ato nuk kanë dalë nga territori i vendit tonë të paktën zyrtarisht. Në këtë mënyrë hetuesit rrëzojnë pistën se vajzat mund të jenë trafikuar jashtë vendit.

Policia vazhdon t’i qëndrojë pretendimit se dy motrat Kajtazi janë larguar me dëshirë nga shtëpia. Ndërkohë prindërit dhe motra e madhe e dy vajzave pretendojnë se ato janë rrëmbyer.

Familja Kajtazi pretendon se të tjerë persona kanë vjedhur dhe djegur shtëpinë e tyre, jo dy vajzat. Ata i bëjnë apel shtetit që t’i gjejë adoleshentet dhe të arrestojë autorët e këtij krimi makabër. Orialda dhe Klevisa Kajtazi kanë humbur kontaktet që prej datës 15 korrik.

Sipas hetuesve ishin ato që tentuan të helmojnë motrën dhe prindërit të cilët u dërguan me urgjencë drejt Tiranës. Duke përfituar nga mungesa e tyre ato dyshohet se morën 5 milionë lekë nga kursimet e familjes dhe i vunë flakën shtëpisë, duke djegur të gjitha orenditë.

Por megjithatë, nga veprimet dhe mosha, vajzat mund të kenë dalë jashtë kontrollit duke u  mashtruar nga personat të tjerë për të cilët organi i akuzës po punon për identifikimin e tyre.   

SHKARKO APP