Zhvillimi i aktivitetit minerar – Qeveria planifikon rritjen e prodhimit me 5% në vit
Programi i veprimit 3-vjeçar 2019-2021 në sektorin minerar parashikon një rritje të produktit vjetor deri në 5% në vit. Këshilli i Ministrave ka miratuar dokumentin që orienton zhvillimin e sektorit për këtë periudhë, që ndër të tjera kërkon shfrytëzim racional të rezervave minerare dhe miradministrim të kësaj pasurie kombëtare.
Po ashtu, vendimi përcakton zhvillimin e veprimtarive minerare, duke përdorur teknologji bashkëkohore, që të parandalojnë dëmtimet mjedisore, shkarkimet në mjedis etj., mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe mjedisit si dhe zhvillimin e këtij aktiviteti me ndikim minimal në panoramën dhe relievin. Ndërkaq, ndonëse qeveria nuk ka zbardhur zonat, referuar tabelave të nxjerra më herët për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, zhvillimi i aktivitetit minerar në 3 vitet e ardhshëm do të fokusohet në nxjerrjen e gurit gëlqeror, gurit dekorativ dhe gurit gëlqeror të mermerizuar.
Në bazë të programit parashikohet hapja e procedurave konkurruese për 76 zona minerare. Pjesa më e madhe e lejeve minerare që do të jepen për këto zona e më konkretisht 68 prej tyre, është pikërisht për mineralet e mësipërm, ndërkohë që vetëm një numër shumë i kufizuar pritet të jepet për nxjerrjen e mineralit të kromit. Për këtë të fundit, ministria planifikon hapjen e procedurave për investitorët e interesuar në 5 zona minerare, nga të cilat njëra ndodhet në Pogradec, njëra në Përrenjas, 2 në Bulqizë dhe tjera në Klos. Po ashtu, referuar të dhënave të programit 3-vjeçar, një zonë minerare do të jepet për shfrytëzimin e bakrit, ndërsa 2 zona të tjera për hekur-nikel.