Zjarr në një banesë në Lushnje, një 12-vjeçare dërgohet në spital me shenja asfiksie
Një zjarr ka rënë pasditen e sotme në një banesë në lagjen “Loni Dhamo” në qytetin e Lushnjës, duke shkaktuar panik mes banorëve të zonës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse dhe ambulanca, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve. Sipas informacioneve paraprake, në banesë jetonin dy persona, ndërsa një vajzë 12-vjeçare është transportuar në spital me shenja asfiksie nga tymi.
Burime nga spitali bëjnë me dije se e mitura ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa gjendja e saj paraqitet e stabilizuar. Nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.
Flakët kanë rrezikuar edhe banesat fqinje, por falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, zjarri është vënë nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tij.
Shkaqet e rënies së zjarrit ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por dyshohet se ai është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Si masë sigurie, energjia elektrike në zonë është ndërprerë përkohësisht.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
KOHA JONË SONDAZH

