Zjarret në Lurë, ministri Vengu shkon në Dibër: Zonat e banuara jashtë rrezikut, por na presin ditë të vështira

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi një mbledhje urgjente në Prefekturën e Dibrës në lidhje me zjarret që kanë përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës prej 2 javësh. Ai kërkoi forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes të gjitha strukturave të përfshira dhe theksoi domosdoshmërinë që të përgatiten të gjitha materialet dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje efektive në terren. Ai urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm koordinimi, i cili do të punojë me ekipe të ndara dhe turne, për të garantuar menaxhimin sa më të mirë të situatës emergjente deri në shuarjen e plotë të flakëve. Situata tashmë është më e stabilizuar, sipas ministrit Vengu, i cili theksoi se zonat e banuara nuk janë në rrezik.

“Prej tashmë 2 javësh në mbarë zonën e Lurës kemi disa fronte zjarresh të përhapura në një hapësirë prej 100 hektarësh, dhe përballemi me disa vështirësi përsa i përket zonave malore dhe pyjore ku ka vështirësi aksesi. Në këto kushte, kemi bërë një mobilizim të forcave shtesë, sot kemi pasur ndërhyrje nga ajri edhe në bashkëpunim me forcat ajrore italiane brenda Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, çka ka mundësuar edhe uljen e intensitetit të vatrave përsa i përket liqeneve në veri, sikundër edhe në zonën në Zall Gjoçaj. Kemi marrë masa në mënyrë që nesër në orët e para të mëngjesit të kemi dislokim të forcave prej 100 personash në terren. Fatmirësisht kemi dhe një shuarje të zjarrit pas përpjekjeve të shumëfishta në Bulqizë, çka na jep mundësinë që të ridrejtojmë forcat në zonën e Lurës. Besoj do jemi në kushte të mira që nesër bashkë me forcën ajrore dhe forcat në terren të kemi një sigurim të një perimetri në mënyrë që të kufizojmë përhapjen. Lajmi i mirë është që janë jashtë rrezikut zonat e banuara”.

Ndërkohë, ministri Vengu ka bërë thirrje për kujdes dhe vigjilencë, pasi temperaturat do të jenë të larta edhe ditët në vijim, duke rritur rrezikun e zjarreve. Nga ana tjetër, Prefekti i Qarkut Kukës informoi se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme, duke rrezikuar seriozisht mjedisin dhe biodiversitetin.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?