Zjarret në Shëngjin rrezikojnë banesat

Autoritetet në Shqipëri raportojnë për përhapje zjarresh në qytetin bregdetar të Shëngjinit, ndërsa po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve. Autoritetet kanë thënë se janë evakuuar banorët afër zonës së zjarreve, ndërsa pushuesit besohet se janë më larg asaj pjese. Flakët në Malin e Shëngjinit kanë nisur që nga e shtuna pasdite dhe zjarri është rindezur në mëngjesin e hënës.

Për shkak të erës, izolimi i vatrave të zjarrit aktualisht është i pamundur. Në një njoftim të Prefekturës së Lezhës, mëngjesin e së martës, theksohet se “vatra e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin ka dalë plotësisht jashtë kontrollit”.

Sipas njoftimit, gjatë gjithë natës kanë operuar 20 mjete zjarrfikëse me personelin përkatës në përpjekje për të lokalizuar flakët.

Pos nga Lezha, mjetet zjarrfikëse kanë mbërritur edhe nga Mirdita, Tirana, Kamza, Berati, Fieri, Lushnja, Vau i Dejës, si dhe Shkodra. “Me mjetet dhe efektivët zjarrfikës po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve, deri tani është bërë e mundur që këto objekte të mos preken nga zjarri”, është thënë në njoftimin e Prefekturës.

Institucioni i Prefekturës së Lezhës thekson se pavarësisht angazhimit të të gjitha këtyre forcave, është e pamundur vënia nën kontroll e zjarrit, dhe si rezultat rrezikohen shumë biznese, por dhe shtëpi banimi.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Taulant Balla, ka shkruar në rrjetin social Facebook se situata është tepër e vështirë. “Policia e Shtetit, përmes Forcës Kombëtare të Sigurisë, po evakuon banorët”, ka bërë të ditur Balla mbrëmë pas mesnate.

 

SHKARKO APP