Zjarret në Shqipëri, 23 vatra ende aktive, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri
Deri në orën 17:00, në të gjithë territorin e Shqipërisë janë evidentuar 23 vatra zjarri, prej të cilave 13 vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera janë vendosur nën monitorim. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse.
Në mbështetje të ekipeve në terren janë vënë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, dy mjete zjarrfikëse, dy helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Një nga zonat ku vijon ndërhyrja është Mali i Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës, ku operacioni mbështetet nga 50 efektivë të FA dhe dy helikopterë. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për banesat. Ndërkohë, vatra në aksin Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
Në Gurë-Lurë të Dibrës situata mbetet ndër më problematiket. Për të frenuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara janë hapur korridore me mjete të rënda. Në terren ndodhen forca të shumta bashkiake, policore, të MZSH-së, ADZM-së dhe FA-së, ndërsa ndërhyrja ajrore po kryhet me dy avionë “Air Tractor”. Deri tani, sipërfaqja e djegur vlerësohet në rreth 200 hektarë pyll me pisha.
Vatra aktive vijojnë të raportohen edhe në Qafë Helmes, Abaze të Krujës, Lufaj të Mirditës, Fushë-Lajë të Pukës, si dhe në disa zona të Gjirokastrës, Vlorës dhe Librazhdit. Në shumicën e rasteve nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat.
Autoritetet vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve, me ndërhyrje të kombinuar nga toka dhe ajri për të izoluar dhe shuar vatrat aktive.
KOHA JONË SONDAZH

