Zjarret në vend, Haki Çako tregon situatën: 14 vatra aktive. Forcat dhe mjetet ajrore janë në gatishmëri të plotë

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka treguar raportin për situatën e zjarreve në vend për 24 orët e fundit. Sipas tij, janë regjistruar 29 vatra zjarri në disa zona të vendit, nga të cilat 15 janë shuar dhe janë vënë nën kontroll, ndërsa 14 vatra mbeten ende aktive, por janë nën monitorim pa ndërprerje.

Raporti i plotë

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 29 vatra zjarri në disa zona të vendit, nga të cilat 15 janë shuar dhe janë vënë nën kontroll, ndërsa 14 vatra mbeten ende aktive, por janë nën monitorim pa ndërprerje. Vatrat më problematike aktualisht janë në zonat malore, pyje dhe kullota, larg qendrave të banuara, si në malin e Tomorrit, malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bolotekut dhe malin Tërnovë në Bulqizë.

Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 320 forca zjarrfikëse, 238 forca ushtarake, 250 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 120 nga administrata e zonave të mbrojtura, 187 shërbimi pyjor, si dhe 130 vullnetarë.

Forcat ajrore dhe mjetet ajrore janë në gatishmëri të plotë. Gjatë ditës së sotme, strukturat operacionale në nivel vendor dhe qendror janë angazhuar për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit që mbeten active, ndërsa vijon mbështetja nga ajri do të vijojë me ekipin rumun.

Vlerësojmë intensitetin e shtuar të punës së Policisë së Shtetit për identifikimin dhe dërgimin përpara përgjegjësisë të autorëve të zjarreve. Kërkojmë nga organet e drejtësisë zbatimin korrekt të ligjit për të gjithë autorët e këtyre veprave penale që paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, pronën, mjedisin dhe vlerat kulturore.

Ftojmë të gjithë qytetarët, veçanërisht fermerët, që në këtë situatë me temperatura shumë të larta të kontribuojnë në reagimin e hershëm dhe të respektojnë procedurat dhe aktet ligjore për ndezjen e zjarreve. Shumica e zjarreve në zonat e banuara janë rezultat i papërgjegjshmërisë së fermerëve në ndezjen dhe administrimin e zjarreve, përveç rasteve kriminale që janë objekt i hetimeve nga organet e drejtësisë.

Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha institucionet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile do të vijojnë pa ndërprerje ndjekjen e situatës dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar sipas rastit.

SHKARKO APP