Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Pesë vatra ende aktive, në operacion katër helikopterë

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin më të fundit për situatën e zjarreve në territorin e vendit. Deri në orën 20:00 të së shtunës janë evidentuar gjithsej 16 vatra zjarri, nga të cilat pesë vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 228 forca operacionale, 10 automjete zjarrfikëse, katër helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.

Një nga zonat më problematike mbetet Dajti, konkretisht në Qafë-Priskë, ku janë regjistruar riaktivizime të zjarrit. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 25 efektivë të forcave zjarrfikëse dhe të Agjencisë së Mbrojtjes Civile, 20 pjesëtarë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Situatë e vështirë raportohet edhe në Vajkal të Bulqizës, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe dëllinja. Në operacion po marrin pjesë 31 forca vendore dhe vullnetare, 30 efektivë të FA-së, si dhe një helikopter.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një tjetër vatër aktive është ajo në Sllatinë të Dibrës, në një zonë pyjore. Për izolimin e zjarrit janë angazhuar 78 forca dhe një helikopter. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se flakët nuk përbëjnë rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, vatra në Qafë të Helmës, në Bulqizë, vijon të monitorohet dhe nuk paraqet rrezik për banesat. Në Kroin e Madh të Krujës po ndërhyhet me dy automjete zjarrfikëse dhe situata raportohet në përmirësim.

Nën mbikëqyrje mbeten edhe vatrat në malin e Dardhës në Librazhd dhe në malin e Qukësit në Prrenjas. Ndërsa zjarret në Komsi të Matit dhe Delisuf të Vlorës janë shuar plotësisht.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?