Zjarret në vend/ Xhaçka: 200 djem e vajza po japin maksimumin
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaka ka reaguar për zjarret që prej ditësh kanë nisur në disa zona në vend. Xhaçka ka deklaruar se 200 djem e vajza të Forcës së Armatosur janë angazhuar në Seman, Shkodër, Lezhë, në vendet ku vazhdojnë akoma vatrat e zjarrit. Përmes një postimi në facebook, ajo shkruan se shuarja e zjarreve nuk është beteja vetëm e Forcave të Armatosura, por edhe e çdo qytetari dhe e çdo strukture të pushtetit vendor që ligji e ngarkon me përgjegjësi për të siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë.
Postimi i plotë
Zjarret masive që kanë goditur pyjet e kullotat ditët e fundit kanë marrë përgjigjen tonë të menjëhershme. 200 djem e vajza të Forcës së Armatosur të angazhuar në Seman, Shkodër, Lezhë etj po japin maksimumin për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurisë kombëtare.
Dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë me çdo mundësi, çdo burim, aset e mjet që kemi.
Por kjo nuk mund të jetë vetëm beteja e FA! Kjo duhet të jetë beteja e të gjithëve ne, e çdo qytetari, e mbi të gjitha e çdo strukture të pushtetit vendor që ligji e ngarkon me përgjegjësi për të siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë.