Zjarri në 4 banesa në Pogradec, Xhakolli: Mbulojmë shpenzimet dhe qiranë derisa të rindërtohen

Një zjarr i madh që ra mbrëmjen e djeshme në një godinë dykatëshe në qytetin e Pogradecit, në banesën e shtetasit të moshuar Avni Biba, 80 vjeç, u përhap duke dëmtuar banesa të tjera afër.

Ditën e sotme Ilir Xhakolli, kryetari i bashkisë Pogradec shkoi tek banesat e përfshira nga zjarri.

Në një prononcim për mediet, ai u shpreh se bashkia do të mbulojë shpenzimet dhe qiranë deri në rindërtimin e banesave të shkatërruara nga zjarri.

“Një zjarr i përmasave të mëdha ku u përfshinë gati 4 familje, por 2 prej tyre janë më të dëmtuarit. Zjarri është fikur nga ora 23:20, një nga këto familje që është më problematike i kemi gjetur një shtëpi këtu afër dhe do ta mbështesim edhe me ushqime dhe veshmbathje pasi ata janë me duar në xhepa. Sigurisht që grupi i emergjencave ndodhet këtu duke bërë verifikimin e dëmeve në 4 banesat po sidomos në këto 2 që janë më të dëmtuarat. Patjetër që bashkia do futet fuqishëm për t’i mbështetur edhe këto dy banesa që janë për t’u rindërtuar dhe shumë shpejt ata do jenë në banesën e tyre”, tha ai.

Ndërkohë, sipas shefit të zjarrfikëses së Pogradecit, janë djegur krejtësisht 2 hyrje, 4 dhoma në shtëpinë e Avni Bibës dhe 3 dhoma në shtëpinë Elton Bacit. /j.p/ ATSH

SHKARKO APP