Zjarri në Gjinar jashtë kontrollit, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga ajri
Zjarri në fshatin Gjinar të Elbasanit vijon të mbetet aktiv, ndërsa terreni i vështirë po pengon ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse në të gjitha vatrat.
Prej disa ditësh, ekipet zjarrfikëse po përballen me flakët, por situata mbetet problematike. Era dhe bimësia e dendur, kryesisht me pisha, favorizojnë përhapjen e zjarrit dhe vështirësojnë operacionet për shuarjen e plotë të tij.
Terreni i thyer dhe pamundësia për të aksesuar disa prej zonave të prekura kanë kufizuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke bërë që disa vatra të vijojnë të jenë aktive.
Në këto kushte, banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje nga ajri, me qëllim përshpejtimin e operacioneve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Situata po monitorohet në vijimësi, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë punën në terren për vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

