Zjarri në Majën e Rrunës/ Gjici: Të qëllimshme, bashkia ka veç 2 zjarrfikëse

Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici ka folur për situatën e zjarreve në zonë, ku shkruan se prej 3-4 ditësh janë aktivizuar 20 vatra, por që 18 prej tyre janë shuar ose janë nën kontroll. Gjici shprehet se problematike mbeten vetëm zjarret në Majën e Rrunës, ku po digjet sipërfaqe me pyje, ndërsa po punohet nga forcat zjarrfikëse që të mos lejohet që flakët të rrezikojnë Tunelin e Kalimashit.

“Kanë qenë 20 vatra zjarri, ku 18 prej tyre janë shuar ose janë nën kontroll pa rrezik. Disa prej zjarreve janë të qëllimshme dhe nga pakujdesia e banoreve. Forcat zjarrfikëse kanë punuar pa u ndalur për vënin në kontroll të zjarreve por edhe vetë banorët kanë ndihmuar”, tha Gjici.

I pyetur nëse bashkia i ka mjetet e duhura për të përballuar zjarret, Gjici tha se në dispozicion të saj janë vetëm 2 zjarrfikëse që është një numër i vogël krahasuar me sipërfaqen e madhe të pyjeve që ka nën administrim.

“Me sipërfaqen e madhe me male e pyje që kemi, bashkia ka në dispozicion vetëm 2 mjete zjarrfikëse që janë shumë pak, ndërkohë që njësitë nën administrim janë 14. Duhen të paktën 4 mjete zjarrfikëse, forca të shtuara njerëzore e mjete që të futen në rrugët e vështira të maleve, pasi zjarrfikësja nuk hyn dot. Qeveria të hartojë plane konkrete jo vetëm për bashkinë e Kukësit por edhe të bashikve të tjera për rritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës së shërbimit zjarrfikës”.

SHKARKO APP