Zjarri në Krujë ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa flakët, të favorizuara nga era, janë përhapur me shpejtësi dhe kërcënojnë një numër të madh banesash në disa zona të banuara.
Vatrat e zjarrit kanë avancuar në drejtim të lagjeve Lluban dhe Barabit, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e menjëhershëm të banorëve.
Në kuadër të operacionit të evakuimit, prioritet u është dhënë fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara.
URDHËR EVAKUIMI-BASHKIA KRUJË:
Në kuadër të situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës së Barabit, Lluban, në Bashkinë Krujë.
Procesi po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë, me mbështetjen e MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
Lutemi, me prioritet fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara.
Banorët e zonës duhet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave.