Zonat e mbrojtura, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD: U hodhën poshtë për mungesë argumentesh
Këtë të enjte Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e një të pestës së deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, i cili sjell ndryshime në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Deputetët kërkonin shfuqizimin e ligjit si antikushtetues dhe pezullimin e tij deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata rrëzoi një sërë pretendimesh të paraqitura nga deputetët. Duke nisur nga liria e kërkimit shkencor dhe siguria juridike, pasi u konsideruan si pretendime të reja, të paraqitura vonë dhe nuk u morën në shqyrtim. Cenimi i parimit të barazisë para ligjit dhe hierarkisë së akteve normative u hodhën poshtë për mungesë argumentesh kushtetuese. Mospajtueshmëria me MSA-në dhe legjislacionin e BE-së (acquis communautaire): Gjykata nuk arriti shumicën e cilësuar për të marrë vendim, ndaj pretendimi u konsiderua i rrëzuar.
Çështjet e trajtuara në themel
1-Procedura parlamentare dhe efekti financiar
Deputetët pretenduan se ligji nuk ishte shoqëruar me raportin financiar të detyrueshëm sipas Kushtetutës. Gjykata konstatoi ndarje mendimesh mes gjyqtarëve dhe për shkak se nuk u arrit shumica e kërkuar, edhe ky pretendim u rrëzua. Një pjesë e gjyqtarëve argumentuan se krijimi i Zyrave të Administrimit të Parqeve Kombëtare sjell kosto të reja që duhej të ishin të justifikuara, ndërsa të tjerë vlerësuan se ligji nuk ka efekte të reja financiare të menjëhershme.
2-Konsultimi publik
Gjykata rrëzoi pretendimin për mungesë të konsultimit publik. Ajo vlerësoi se, edhe pse Konventa e Aarhus-it i detyron qeveritë të kryejnë konsultime për çështjet mjedisore, neni 56 i Kushtetutës shqiptare e shtrin këtë detyrim edhe mbi Kuvendin. Në këtë rast, konsultimi u konsiderua i mjaftueshëm, pasi Kuvendi kishte zhvilluar një proces konsultimi mbi nismën ligjore të deputetëve.
3-Identiteti kombëtar dhe trashëgimia natyrore
Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenim të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë natyrore në kuadër të detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë për mbrojtjen e mjedisit. Ajo vlerësoi se ligji në fjalë është një ligj kuadër, që nuk prodhon pasoja të drejtpërdrejta dhe për këtë arsye nuk cenon detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Vetëm në momentin kur të nxirren aktet nënligjore (si VKM-të për zonat specifike), do të mund të verifikohet ndikimi konkret i ligjit.
Vendimi përfundimtar
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës, duke lënë në fuqi ligjin nr. 21/2024 për ndryshimet në Zonat e Mbrojtura. Vendimi i arsyetuar do të publikohet brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”.
KOHA JONË SONDAZH

