Zonja e Parë, Armanda Begaj, merr pjesë në përurimin e shkollës së rindërtuar “Selman Ali Xaka”

Zonja e Parë, Armanda Begaj, ishte e pranishme në ceremoninë e përurimit të shkollës 9-vjeçare “Selman Ali Xaka” në fshatin Nuaj (Nojë) në Krujë.

Rindërtimi i kësaj shkolle, e cila pësoi dëme serioze pas dëmtimit tërësor të saj, si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, u mundësua falë një donacioni të shtetit slloven, në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Rindërtimit dhe Bashkinë e Krujës.

Të pranishëm në ceremoninë e përurimit ishin, Ambasadori i Republikës së Sllovenisë Peter Japelj, Nënkryetari Bashkisë Krujë, Ilir Loci, përfaqësuesi i Ministrisë Sllovene të Zhvillimit Ekonomik, Gregor Umek etj.

Gjatë fjalës së saj, Zonja e Parë Armanda Begaj falenderoi shtetin slloven për kontributin bujar të dhënë në ndihmë të rindërtimit të shkollës.

Tërmeti i tre viteve më parë vërtetë ngjalli frikë tek të gjithë ne, por na tregoi se mund të jemi mbështetje për njëri-tjetrin. Ai gjithashtu vërtetoi se Shqipëria është një vend me miq të mirë e solidar kudo në botë. Vlerësojmë kontributin e qeverisë dhe popullit slloven që në kohë të vështira konfirmoi miqësinë dhe afërsinë, duke dhënë një ndihmë me shumë vlerë në rikuperimin e dëmeve të tërmetit të vitit 2019. E ardhmja dhe e nesërmja është për këta fëmijë që sot janë në bankat e shkollës. Ndaj do t’ju lutesha të dashur mësues dhe prindër që t’i inkurajojmë fëmijët tanë të jenë njerëz të zotë për vendin e tyre. Le të marrim më të mirën e jetës dhe të ngrihemi edhe më të fortë, kudo qofshim!”, u shpreh ndër të tjera Znj. Begaj në fjalën e saj.

Ndërkohë, në fjalën e tij përshëndetëse, Ambadadori i Republikës së Sllovenisë z. Japelj tregoi për të pranishmit në ceremoninë e përurimit se për herë të parë e kishte vizituar Krujën tre vite më parë, vetëm 2 ditë para tërmetit.

Sllovenia reagoi menjëherë duke ofruar ndihmë, si edhe dy ekspertë sllovenë, që iu bashkuan ekipeve për vlerësimin e dëmtimeve. Megjithatë, shprehja më e rëndësishme e solidaritetit ishte vendimi i Sllovenisë për t’i dhuruar Shqipërisë një shkollë. Jam sinqerisht i lumtur dhe krenar që mundëm të ngrinim një shkollë moderne plot dritë, në këtë mjedis kaq piktoresk, në bashkëpunim me Ministrinë e Rindërtimit, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkinë e Krujës”,- theksoi Japelj

Shkolla modulare “Selman Ali Xaka” është një shkollë 9-vjeçare, e cila ofron tashmë kushte shumë të mira, ku marrin mësim 50 nxënës së bashku me kopshtin e fëmijëve.

 

SHKARKO APP