“Zotëria i drogës”, arrestohet shqiptari në kërkim prej 11 vitesh
Në pranga të policisë Italiane, ka rënë shqiptari që njihej nga të gjithë si “zotëria i drogës”. 48-vjeçari i identifikuar me emrin Nimon Zogaj, ishte në kërkim prej 11 vitesh nga ana e drejtësisë italiane.
Zogaj i dënuar me 22 vite burg për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike është vënë në pranga nga ana e agjentëve të Policisë së Milanos. Këta të fundit kishin kohë që i ishin vënë prapa, por vetëm 2 ditë më parë kishin rënë në gjurmët e tij.
48-vjeçari Nimon Zogaj ishte sinjalizuar se ndodhej në kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës, i fshehur dhe i sigurtë se tani ai ishte harruar. Por nuk e kishin harruar policët italianë pasi ndaj tij ishte lëshuar një mandat arresti ndërkombëtar.
Siç shkruan media italiane, krimet Zogaj i kishte kryer në vitet 1997-1998, kur ky i fundit kishte qenë pikë referimi e trafikut të drogës në zonën e Lombardisë, Itali.
Kur ai e kishte kuptuar se situata ishte bërë e rrezikshme për të, ja kishte mbathur në Zvicër. Por nga këtu ishte ekstraduar në Itali. Pas disa muajsh në qeli ishte liruar në pritje të dënimit, por nga aty ishte zhdukur më pas.
KOHA JONË SONDAZH

