Zv/kryeministrja Balluku: 9.25 milionë euro grant nga KE për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Belshit
Parku fotovoltaik i Belshit është një tjetër projekt, i cili do të mbështetet nga Komisioni Europian përmes një granti, tashmë të miratuar. Zv/kryeministrja, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se parku i Belshit me 50 MW fuqi të instaluar rrit kapacitetet prodhuese energjetike të Shqipërisë.
Sipas saj granti i miratuar nga Komisioni Europian është 9 250 000 euro, ndërsa vlera totale e investimit llogaritet 41 450 000 euro. Prodhimi i energjisë nga panelet diellore është pjesë e rëndësishme e procesit të diversifikimit të burimeve të energjisë, bazuar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë.
Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT treguan se prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në tremujorin e tretë të vitit u rrit me 17.5 %, duke arritur vlerën 1.611 GWh nga 1.371 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2022.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76.7 %, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 21.5 % dhe nga prodhues fotovoltaik në masën 1.8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.