Zv/kryeministrja Balluku: Aksi Fier-Vlorë tërësisht i rehabilituar redukton trafikun, ndihmë bujqësisë dhe agroturizmit
Në aksin rrugor Fier-Vlorë kanë përfunduar punimet dhe tashmë kjo rrugë e rehabilituar plotësisht, përmbush të gjithë parametrat e sigurisë rrugore duke lehtësuar fluksin e shtuar të qarkullimit në këtë sezon veror, drejt jugut të vendit.
Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku teksa inspektoi aksin rrugor Fier-Vlorë, tashmë i rehabilituar plotësisht në të gjithë gjatësinë e tij, tha se “kjo rrugë, krahas bajpasit të Fierit, shërben si një aks alternativ për qarkullimin e makinave dhe reduktimin e fluksit të shtuar të trafikut veçanërisht në sezonin veror”.
Përfundimi i rikonstruksionit të rrugës së vjetër Fier-Vlorë, që ka shkurtuar 5 km rrugë, duke hequr kthesat e rrezikshme, i vjen në ndihmë bujqësisë dhe agroturizmit të zonës.
“Aksi Fier-Vlorë është zgjeruar nga 6 në 8 metra dhe lidhet me bajpasin e Vlorës dhe vijon me rrugën Transballkanike, për të gjihë ata që duan të udhëtojnë në Vlorë apo jugun e vendit”.
Rruga e re ofron jo veç lehtësim të trafikut, komoditet udhëtimi por edhe panoramë të mrekullueshme të natyrës dhe gjeografisë që ofron jugu i Shqipërisë.