Zv/kryeministrja Balluku: Instituti Europian i Teknologjisë dhe Inovacionit, qendër rajonale në Elbasan
Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, mori pjesë sot në tryezën e diskutimit me ekspertë të fushës minerare në Shqipëri, ku theksoi rëndësinë e kërkimit shkencor në zhvillimin e sektorit.
“Shqipëria është një vend i pasur me minerare, të cilat janë vlerësuar gjithmonë nga investitorët e huaj. Qeveria shqiptare e ka në fokus, rëndësinë e potencialit minerar të nëntokës tonë dhe sot në një këndvështrim të ri, në linjë edhe me standardet europiane, për riaktivizimin e zhvillimit ekonomik në zonën e Ballkanit, e ka vendosur këtë sektor në prioritet e saj”, u shpreh Balluku. Ajo u shpreh se përmes politikave efikase në bashkëpunim edhe me ekspertët më në zë të fushës, synon t’i japë një nxitje tjetër industrisë minerare, duke e futur kështu këtë sektor në një fazë të re zhvillimi.
“Stabiliteti makroekonomik i vendit dhe një sërë masash që ka marrë qeveria në sektor të ndryshëm, kanë bërë të mundur që investitorët e huaj të kthejnë vëmendjen drejt Shqipërisë. Në sektorin minerar vëmendja më e madhe e investitorëve është për mineralin e kromit. Por ne synojmë të nxisim eksplorimin e mineraleve të reja për tregun, siç është litiumi p.sh”, u shpreh Balluku.
Ajo solli në vëmendje se vendet fqinjë, kanë nisur të eksplorojnë litiumin dhe po lidhin kontrata fitimprurëse. Në këtë kontekst, vijoi ajo, i gjithë ky zhvillim potencial që ka të bëjë me Ballkanin dhe është identifikuar edhe nga BE-së, është një orientim për ne, në drejtim të eksplorimin të mineraleve të reja, për përdorim në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik.
Sipas saj, një lajm i mirë është fakti që sot kemi një vëmendje të shtuar nga Bashkimi Europian në zhvillimin e sektorit. “Instituti Europian i Teknologjisë së Inovacionit dhe Lëndëve të Para ka vendosur që të ngrejë këtu në Shqipëri degën e tij rajonale dhe ne kemi zgjedhur ta vendosim atë në Elbasan. Ne do të kemi mundësi ta inaugurojmë atë në Elbasan, brenda këtij viti”, tha Balluku.
Ministrja informoi se Qendra rajonale e Institutit Europian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para, do t’i japë një shkallë tjetër të gjithë organizmit, përsa i përket fondeve që Bashkimi Europian do të vendosë në dispozicion të këtij projekti të madh duke i dhënë Shqipërisë mundësinë që të mos e bazojë industrinë minerare vetëm tek kromi, por të fillojë dhe të eksplorojë edhe materialet nëntokësore të tjera që janë me interes për tregun dhe nga ana tjetër duke i dhënë edhe një herë jetë njësive kërkimore që janë shumë të rëndësishme.