Zv/kryeministrja Balluku: Këtë vit nisim procesin e ndërtimit të by pass-it të Tiranës
Këtë të hënë është mbledhur Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian. E pranishme ka qenë edhe zv/kryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo ka folur për disa nga projektet e rëndësishme infrastrukturore në vend. Ndër to është edhe puna për ndërtimin e by pass-it të Tiranë, proces, që Balluku tha se do të nisë gjatë këtij viti.
“Me suportin e WBIF gjatë këtij viti do të nisim procesin e ndërtimit të by pass-it të Tiranës si një nga nyjet infrastrukturore më të rëndësishme që nuk i vjen në ndihmë vetëm kryeqytetit pavarësisht se ashtu dëgjohet, por është një ndërlidhje e të gjitha autostradave të ndërtuara, për t’i dhënë akses më të mirë të gjithë rrjedhës së trafikut që vjen nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja foli edhe për Korridorin e 8. Ajo u shpreh se përveç Shqipërisë, nesër do të nisë puna edhe në Maqedoninë e Veriut. Sipas Ballukut, ky korridor do të ketë një pikë dalje të re në Maqedoninë e Veriut dhe me shumë mundësi do të lidhet përmes një tuneli.