Zv/kryeministrja Balluku: Mbi 120 MWH energji të instaluara për vetëkonsum nga biznesi dhe familjarët

Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi sot ulja e konsumit të energjisë elektrike është objektiv dhe se për këtë qëllim ka nisur prej kohësh implementimi i strategjisë së diversifikimit të burimeve energjetike. Ajo theksoi se mbi 120 MWH energji janë të instaluara për vetëkonsum nga biznese dhe abonentë familjarë.

“Për ata që gjëmojnë lajmet e errëta edhe ku ka dritë plotë dhe aty ku ka arsye për të vlerësuar arritjet, pasi janë sakrifica të përbashkëta, të qytetarëve dhe të Qeverisë, dua të sqaroj opinionin publik që disinformohet rregullisht. Rënia e konsumit të energjisë elektrike, ka qenë dhe do të jetë synim dhe qëllim i punës tonë, ndaj dhe kemi nisur prej kohësh të implementojmë strategjinë e diversifikimit të burimeve energjetike. Gjithashtu politikat tona të efiçencës energjetike , kanë dhënë rezultatet e para”, u shpreh Balluku në përgjigje të disa shkrimeve në medie për rënie të konsunmit të energjisë në vend.

Sipas saj, rënia e konsumit ka të bëjë me 2 fakte optimiste për vendin tonë me të cilat duhet të krenohemi. “Mbi 120 MWH të instaluara për vetëkonsum nga biznese dhe abonentë familjarë. Mjafton të kujtojmë mbështetjen që qeveria shqiptare i jep secilit prej këtyre dy grupeve, nga panelet për ngrohjen e ujit dhe deri tek 500 kw e shkëmbimit. Arsyeja e dytë është pa diskutim meritë e punës së palodhur të punonjësve të OSHEE”, theksoi Balluku.

Zv/kryeminsitrja foli për ulje të humbjeve teknike dhe jo teknike në rrjetin e shpërndarjes. “Arritjet e targeteve duhen vlerësuar, sektorit duhet ti njihet progresi i jashtëzakonshëm dhe ne fjalët nuk na trembin pasi për ne flasin rezultatet”, tha ajo.

SHKARKO APP