Zv/kryeministrja Balluku tregon strategjinë e qeverisë për krizën energjetike
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, njëherësh dhe zv.kryeministre, Belinda Balluku tregoi në emisionin ”Now”, masat e qeverisë për të përballuar krizën energjetike.
Balluku tha se qeveria shqiptare që nga viti 2019 ka nxitur strategjinë e diversifikimit të burimeve, me dy projekte të rëndësishme; parkun fotovoltaik të Karavastasë dhe TEC e Vlorës që do të punojë me gaz të lëngshëm.
“Nga 2019 Shqipëria ka nxitur një strategji të diversifikimit të burimeve, që nuk ka qenë e nxitur nga ndonjë krizë por ka qenë një strategji qeveritare përmes 2 ankandeve të suksesshëm një nga të cilat ka nisur ndërtimin; parku fotovoltaik i Karavastasë. Parku tjetër i Spitallës po përgatitet të ndjekë të njëjtën rrugë dhe një hap i rëndësishëm që është TEC i Vlorës”, tha Balluku.
Balluku shpjegoi se TEC i Vlorës do të kthehet në një projekt rajonal pasi do furnizohet me gaz të lëngshëm amerikan dhe do të bëjë të mundur sjelljen e gazit të lëngshëm amerikan që do të shpërndahet në rajon.