Zv/kryeministrja inspekton DRSHTRR-në në Korçë/ Balluku: Sfida e qeverisë, përmirësimi i shërbimeve
Përmirësimi dhe ndryshimi i mentalitetit në ofrimin cilësor të shërbimeve për qytetarët është një nga sfidat e qeverisë tha zv/kryeministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit të godinës së re Drejtorisë Rajonale së Shërbimeve të Transportit Rrugor në Korçë.
“Jam e surprizuar se këtë projekt e kemi nisur bashkë dhe ka qenë një shkëmbim mes kolegësh duke treguar mirëkuptim të plotë. ARRSH lëshoi pronën e vet dhe ne bëmë një procedurë në të mirë të qytetarëve të Korçës dhe të gjithë që vijnë të marrin shërbim këtu. Është një gur i çmuar”.
Numri dy i qeverisë nënvizoi se investimet që po realizohen në drejtoritë rajonale janë nga të ardhurat të vetë kompanisë që kthehen në asete.
“Është një proces i rëndësishëm faktikisht, pasi nuk po harxhohen para për të ndërtuar, siç thonë disa, por kompania paratë që prodhon i kthen në kapitale për vete. Ne kemi gjetur ndërtesa nën ujë me të gjitha dosjet e përmbytura si në Laç”.
Përmirësimi i infrastrukturës ka nisur në të gjitha drejtoritë rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duke mbetur pa u ndërhyrë vetëm në Kukës.