Zv.ministri i Jashtëm: Konsolidimi i shtetit ligjor në thelb të negociatave
Zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë, Sokol Dedja, në një intervistë për DW flet për zhbllokimin e hapjes së negociatave të pranimit në BE si edhe aspektet kryesore në metodologjinë e re të zgjerimit të BE.
Z. Zëvendësministër Dedja, çfarë po bëhet për zhbllokimin e hapjes së negociatave të pranimit në BE?
Ka një rritje të përpjekjeve për të dalë nga bllokimi, nga ngërçi, ku hyri procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, (BE) me mosmarrjen e vendimit në tetorin e kaluar, gjë që ndodhi, jo për shkak të mungesës së arritjeve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, (MV). Bllokimi erdhi nga nevoja për të ndryshuar metodologjinë e zhvillimit të negociatave të anëtarësimit dhe përmirësuar në tërësi funksionimin e BE. Pritet që konferenca për të ardhmen e BE të zhvillohet gjatë vitit 2020-2021 dhe të diskutohen ide për reformimin e tij. Por hapja e rrugës për fillimin e negociatave për të dyja vendet është ndryshimi i metodologjisë së zgjerimit.
Në fund të këtij muaji, pritet që Komisioni Europian të propozojë metodologjinë e re të zgjerimit të BE. Çfarë propozimesh ka? A ka elementë të përbashkët mes tyre si bazë e kompromisit të pritshëm?
Krahas propozimit të Francës është edhe propozimi i 9 vendeve anëtare të BE. Të dyja këto propozime kanë elemente të përbashkëta, por edhe të ndryshme. E përbashkëta kryesore është që nuk vihet në diskutim perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor,(BP) nga asnjë vend anëtar anëtar i BE. Elementi i dytë i përbashkët është që procesi i negociatave do të jetë detyrimisht i gjatë, pasi është një proces transformimi rrënjësor i funksionimit të shtetit, administratës publike, tregut dhe mentalitetit të shoqërisë. Prandaj në dy propozimet zë vend çështja e ruajtjes së motivimit të shoqërive gjatë këtij procesi përmes përfitimeve gjatë tij , sidomos për qytetarët. Deri tani diskutimi është përqëndruar në përfitimet financiare, në rritjen e mbështetjes financiare përmes Instrumentit të para Aderimit (Instrument for Pre-Accession Assistance, IPA). Si koordinator kombëtar i këtij instruimenti mund t’iu them që në 7 vitet e fundit, mbështetja financiare për Shqipërinë ka qenë rreth 650 milion Euro. Me metodologjinë e deritanishme ka qenë planifikuar që në 7 vitet e ardhshme të kishte një rritje, në total prej 13 përqind për gjithë rajonin e BP. Por edhe me metodologjinë e re të zgjerimit do të ketë rritje të mbështetjes financiare, të kushtëzuar me arritje. Mbështetja financiare bëhet nxitëse për reforma, për transformim dhe është boshti kryesor lidhur me forcimin e përfitimeve të ndërmjetme. Diskutohet që Shqipëria dhe MV të marrin pjesë në takime formale, institucionale jo vetëm informale, si deri më tani, dhe të bëhen pjesë e vendimeve të BE, edhe pse pa të drejtë vote.
Cilat janë ndryshimet në dy propozimet lidhur me ecurinë në kohë të negociatave?
Propozimi i Francës është që negociatat e pranimit të përmbledhin një sekuencë prej 7 fushash, njëra pas tjetrës, pra më gjerë se kapitujt, siç ka qënë me metodologjinë e deritanishme të zgjerimit. Kurse propozimi tjetër, ai i 9 vendeve anëtare të BE, nuk është dakort për sekuenca të njëpasnjëshme, por për sekuenca paralele. Mbetet për t’u parë sesi do ta trajtojë KE në propozimin e tij në fund të këtij muaji. Por këmbëngul që e rëndësishme është ajo që Presidenti francez Macron ka deklaruar në fillim të këtij muaji: nëse ndryshon metodologjia e negociatave të pranimit në BE, Franca është gati për një vendim pozitiv. Ajo që pritet është arritja e një kompromisi mes vendeve anëtare të BE dhe miratimi unanim i metodologjisë së propozuar nga KE.
Cili është skenari më optimist për të hapjen e negociatave këtë pranverë?
Skenari më optimist është që vendet anëtare të miratojnë propozimin e KE para mbledhjes së Këshillit Europian të marsit, që vendimi të merret në mars. Kjo do të varet nga miratimi në mënyrë unanime nga vendet anëtare i metodologjisë së re për negociatat e anëtarësimit, të propozuar nga KE në fund të këtij muaji. Në rast se kjo nuk do të ndodhë në mars, data tjetër është mbledhja e Këshillit Europian në maj. Ngjarje tjetër e rëndësishme është Samiti i Zagrebit, BE – BP, po në maj, ku në kuadrin e përgatitjeve për këtë samit, në prill, KE do të propozojë strategjinë e zgjerimit në përgjithësi.
Cilët pritet të jenë elementët kryesorë të kësaj strategjie?
Janë tre: forcimi i bashkëpunimit ekonomik, i mbështetjes financiare për transformimin e dy vendeve dhe forcimi i kushtëzimit, një element që është i mirëpritur nga ne, përderisa procesi i integrimit europian, i hapjes së negociatave të anëtarësimit është për ne një proces transformimi. Gjithë thelbi i procesit është përmirësimi i jetës së qytetarëve në Shqipëri dhe MV përmes procesit të integrimit.
Si po përgatitet Shqipëria për po-në potenciale?
Ajo që pritet nga metodologjia e re është dhënia e një rëndësie më të madhe konsolidimit të shtetit ligjor. Dhe kjo arrihet përmes thellimit të reformës së gjyqësorit, rezultateve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj për Shqipërinë rëndësi thelbësore ka vijimi i reformave, sidomos i atyre që lidhen me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne duhet të thellojmë arritjet në këto 3 fusha kyçe për hapjen e negociatave. Në përgjigje të pyetjes tuaj, Shqipëria po punon për një paketë ligjore në konsultim me BE dhe SHBA që synon thellimin e goditjes ndaj krimit të organizuar, gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, përmirësimin në sekuestrimin e pasurive të krijuara nga krimi i organizuar.
Zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë, Sokol Dedja është edhe koordinator kombëtar për IPA, (Instrument for Pre-Accession Assistance)