Zv.ministrja e Shëndetësisë: Është ndërprerë zinxhiri i transmetimit por nuk dihet sa do zgjasë imuniteti

Zëvendësminstrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, flet për situatën e pandemisë në vend dhe thotë se kjo  qetësi momentale, nuk është garanci për muajt në vijim.

“Fatmirësisht Shqipëria ndodhet në një situatë të mirë dhe relativisht të qetë, me shifra konstante. Por situata në rajon nuk është në këtë lloj qetësie. Ndërkohë që Shqipëria është në nivelin 1 të sigurisë, më i miri, Greqia është në nivelin 3 dhe Kroacia është në zonën 4. Disa vende kanë filluar të kenë rritje, si Mbretëria e Bashkuar, pra ka një lloj jo qetësie në epidemiologjinë në rajon.

Por a është kjo situatë pasojë e shpërndarjes së variantit Delta, apo është një rikthim i variantit të mëparshëm. “Natyrisht që mutacionet kanë rolin e vet, por nuk është vetëm kjo. Vaksinimi ka ndërprerë zinxhirin e transmetimit, por ende nuk dihet sa do të zgjasë imuniteti nga vaksina, apo edhe vetë imunizimi nga sëmundja. Do të jetë e përjetshme si me fruthin apo do të ketë një afat skadence. Janë gjëra që do na i mësojë vjeshta dhe dimri që kemi përpara. Ne duhet të vazhdojmë të mbajmë këtë situatë, duke qenë alert, pa iu rikthyer normalitetit që kishim 2 vite më parë”, thotë Rakacolli, që shton se gjithsesi rritja e turistëve që mund të vijnë nga vende problematike nuk do të ndikojë në ndryshimin e masave në fuqi.

Zëvendësministrja flet edhe për një fenomen që sheh tkurrje në ritmin e vaksinimit. “Vihet re një lloj hezitimi në vaksinim. Ka hezitim kudo në botë, duke filluar nga lëvizjet no-vax. Mendoj se në Shqipëri thjesht iu ka humbur vigjilenca dhe mendojnë se nuk i duhet vaksina ose mendojnë se mund ta bëjnë më vonë, për t’u përgatitur për vjeshtën. Por qytetarët duhet të besojnë tek vaksinimi, në momentin që është marrë vendimi për futjen në treg domethënë se janë bërë studime të hollësishme. Të gjitha vaksinat që kemi janë efikase”.

Kjo vlen edhe për vaksinën kineze. “I kemi të dhënat e efikasitetit. Sinovac është vaksine që ka në bazë virus të deaktivizuar, që patjetër nxit imunitetin. Efikasiteti i saj për rastet e rënda dhe shmangja e vdekjes është e 100%, mos të harrojmë se përdoret edhe nga personeli shëndetësor”, shpjegon Rakacolli.

SHKARKO APP