Zv/ministrja e Shëndetësisë: Jo veç largime, 88 mjekë të huaj kanë ardhur në Shqipëri

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, vlerësoi ndryshimet që ka pësuar Urgjenca Kombëtare duke i cilësuar si transformim. “Urgjenca kombëtare ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Tani në numrin 127 apo 112 mund të telefonojë e gjithë Shqipëria. Ka një numër mjekësh dhe infermierësh që janë pjesë e këtij rrjeti. Helikopter ka në cdo moment në dispozicion për t’u ngritur kur gjykohet se rasti duhet asistuar me mision ajror dhe jo me ambulancë”,-tha ajo në ”Report TV”.

Sot kryeministri Edi Rama, mori pjesë në eventin për Modernizimin e Urgjencës Kombëtare, në Spitalin e Traumës. E ndërsa shërbimet po modernizohen një pjesë e mjekëve dhe infermierëve vijojnë që të largohen drejt Gjermanisë. Për Rakacollin nuk ka vetëm largime të shqiptarëve, por edhe mjekë të huaj që vijnë në vendin tonë.

“Vetëm në vitin e fundit janë licenuar 88 mjekë të huaj për të punuar në Shqipëri, kanë ardhur 8 studentë që kanë mbaruar jashtë mjekësinë. Ne mundohemi të bëjmë politika që të rinjtë ta gjejnë veten këtu. Edhe Gjermanisë i ikin mjekët në Zvicër. Njeriu kërkon për më mirë, për një sfidë tjetër”. Në fund ajo u ndal edhet te Check Up-i apo kujdesi mjekësor bazë duke e vlerësuar, pavarësisht akuzave nga opozita. “14% e njerëzve që e kanë bërë kanë rezultuar se janë prediabetik dhe vetëm nëse marrim mjekimin nuk iu bëhet diabeti, ndërsa 8% janë diabetikë. 300 veta janë zbuluar se vuanin nga luecemia. 18-20% të atyre që e kanë bërë kanë rezultuar me anemi, apo me kancer të zorrës së trashë”.

SHKARKO APP