Zv.ministrja Voda: Do parandalojmë emigracionin e paligjshëm
Zëvendës ministrja e Brendshme, Rovena Hoda zhvilloi sot një takim me Mark Harbers, ministër për Migracionin i Holandës ku u diskutua sidomos emigracioni i paligjshëm. Ministri i Holandës tha se shteti i tij e konsideron Shqipërinë vend të sigurt origjine. Hoda nga ana e saj deklaroi se qeveria shqiptare ka bërë hapa për parandalimin e fenomenit të emigracionit të paligjshëm. Konferenca e përbashkët për media e zv.ministres së Brendshme Rovena Voda dhe Mark Harbers, ministër për Migracionin i Holandës:
Fjala e plotë
Pata kënaqësinë të pres dhe bisedoj sot me z. Mark Harbers, Sekretar i Shtetit për Migracionin i Mbretërisë së Holandës. Ndamë qëndrime të përbashkëta çështje të tilla të tilla si migracioni, përkatësisht azilantët e parregullt, krimi ndërkufitar, shkëmbimi i informacionit policor, organizimi i operacioneve të përbashkëta ndaj krimit të organizuar etj..
Gjithashtu ramë dakord për nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, përkatësisht të agjencive ligj zbatuesve që merren me çështjet e kufirit dhe migracionit. Por, natyrisht në fokus të bisedës sonë ishin kryesisht çështjet që kanë të bëjnë me fenomenet e migracionit të paligjshëm dhe të azil kërkimit. Vërejmë me kënaqësi që në dy-tre vitet e fundit, kurba e azilkërkuesve shqiptarë në fakt drejt vendeve të BE është ulur ndjeshëm por mbetet ende sigurisht shumë për të bërë.
E falënderova z. Harbers, për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria holandeze ka dhënë për Shqipërinë në vite, veçanërisht në përballimin e fenomenit të azilkërkuesve të paligjshëm.
Me këtë rast dua të theksoj se niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve tona është shumë i mirë dhe i mbështetur me rezultate konkrete. Nga ana tjetër falënderova z. Mark Harbers për mbështetjen që Holanda i ka dhënë procesit të integrimit të vendit tonë në BE.
I bëra të njohur z. Harbers paketën e masave që ka hartuar dhe po zbaton vendi ynë me qëllim parandalimin e fenomenit të migracionit të parregullt jo vetëm drejt Holandës, por edhe vendeve të tjera të BE-së, që mund të preken nga ky fenomen. Nënvizoj se Shqipëria bën pjesë në listën e vendeve të origjinës së sigurt, prandaj është e pamundur që një shtetas shqiptar të përfitojë azil në Holandë apo në vendet e tjera të BE-së.
Që prej muajit korrik 2017, Policia e Shtetit ka përforcuar masat në çdo pikë të kalimit kufitar, e shoqëruar kjo edhe me penalitete për kundërvajtësit, sidomos për prindërit që tentojnë të shpien të pashoqëruar fëmijë të mitur në hapësirën ‘Shengen’.
Qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të posaçme frenimit të fenomenit të azilantëve të parregullt:
• Ne kemi ndërmarrë fushata sensibilizuese intensive në 12 qarqet e vendit, (një nismë kjo me mbështetjen edhe të qeverisë holandeze);
• kemi proceduar penalisht apo përmes masash administrative favorizuesit apo nxitësit e fenomenit të azilit të paligjshëm;
• kemi arrestuar punonjës policie që kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar kalimin e personave me probleme në dokumentacion për të udhëtuar në hapësirën ’Shengen’;
• kemi goditur grupet kriminale që janë të përfshira në një veprimtari të tillë të paligjshme. Në këtë kuadër janë zhvilluar 2 operacione shumë të suksesshme, kundër grupeve kriminale që merreshin me kontrabandimin e personave në vende të ndryshme drejt BE-së ose SHBA-së, të tilla si “One If – By Land” dhe “Rruga e Gabuar”, të cilët rezultuan me dhjetëra të arrestuar.
Vërejmë me kënaqësi që masat e marra kanë dhënë deri tani një efekt të dukshëm pozitiv, në përgjithësi. Për vitin 2018, sipas të dhënave të Eurostat kemi një ulje në krahasim me vitin paraardhës, rreth 20 % të kërkesave për azil.
Edhe për këtë vit, autoritetet tona të kufirit kanë vijuar zbatimin me rigorozitet të planit të masave dhe mjafton të kujtojmë faktin që në 3 muajt e parë të këtij viti, iu është refuzuar dalja rreth 5,400 shtetasve shqiptarë për mungesë dokumentacioni.
Bëjmë me dije gjithashtu se Ministria e Brendshme ka hartuar dhe po implementon një Plan Veprimi të gjerë për parandalimin e fenomenit të azilit në vendet e BE-së dhe zonën ‘Shengen’.
Sigurisht ne jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me partnerët tanë për të analizuar në detaje fenomenin e azil kërkimit, si dhe të shkaqeve dhe faktorëve që e nxisin atë. Theksojmë me këtë rast se shtetasit që duan të emigrojnë nga Shqipëria, kanë çdo të drejtë ta bëjnë këtë por vetëm përmes rrugës së ligjshme.
Edhe njëherë falënderoj kolegun tim, zotin Harbers për bisedën shumë frytdhënëse që ne patëm dhe që besoj do të ndihmojë në intensifikimin e bashkëpunimit që qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme shqiptare ka me Ministrinë e Brendshme dhe të Drejtësisë holandeze. Faleminderit!
KOHA JONË SONDAZH

