Zv.Presidenti i Bankës Botërore: Shqipëria ndër vendet më të ekspozuara nga ndryshimet e klimës
Zv/Presidenti i Bankës Botërore për politikat e projekteve dhe shërbimet ndaj vendeve, Ed Mountfield flet për ”A2cnn” dhe thotë se Shqipëria është ndër vendet më të ekspozuara nga ndryshimet e klimës. ”Shqipëria është një vend që së fundi është goditur nga një sërë krizash, ndaj si mund të bëhemi më të shpejtë në reagimin tonë ndaj këtyre lloj situatave. Më tej, pjesa e fundit e mozaikut tonë është të mendojmë për kapacitetin financues të Grupit të Bankës Botërore, ashtu si dhe të bankave shumëpalëshe, mbi mënyrat sesi t’i përdorim më efektivisht burimet tona, për t’u dhënë më shumë financime vendeve si Shqipëria, por edhe duke marrë në konsideratë sesi mund të vëmë në lëvizje më shumë fonde nga disa prej partnerëve tanë”,-tha Mountfield.
A2 CNN: Cili është qëllimi i vizitës tuaj në Shqipëri? Vini për herë të parë apo jo?
Mountfield: Po, kjo është hera ime e parë në Shqipëri dhe jam i lumtur që gjendem këtu. Ka dy arsye për vizitën time. E para, doja të mësoja rreth historisë së jashtëzakonshme të zhvillimit që përfaqëson Shqipëria. Ky është një vend që sigurisht vjen nga kohë të vështira dhe që, gjatë tri dekadave të fundit, ka mundur të arrijë një zhvillim shumë të madh, përmirësime të jashtëzakonshme në vend dhe kushtet e jetesës së njerëzve, kështu që doja t’i shihja me sytë e mi disa prej këtyre gjërave dhe po ashtu të flisja me autoritetet qeverisëse, si dhe të vizitoja disa prej projekteve tona në terren.
Dje vizituam një projekt në Berat. Sot, në mëngjes, pamë disa prej investimeve që ne, si Grupi i Bankës Botërore, po mbështesim në Spitalin “Nënë Tereza”, për të përmirësuar mjediset dhe për të rritur kapacitetet e analizave mjekësore dhe doja të dëgjoja mendimet e qeverisë, sektorit privat dhe aktorëve të tjerë sesi mund të vazhdojmë të forcojmë partneritetin tonë me Shqipërinë në këtë moment shumë të rëndësishëm.
Arsyeja e dytë e vizitës sime është se Grupi i Bankës Botërore po mendon aktualisht sesi mund t’i mbështetë më mirë vendet, jo vetëm ato me të ardhura të mesme, si Shqipëria, por të gjithë klientët tanë në mbarë botën, në një kohë kur vendet përballen me nevoja të mëdha e sfida të jashtëzakonshme, përfshi sprova të reja, si pandemia dhe ndryshimet klimatike, që na kanë goditur kaq fort kohët e fundit dhe të mendojmë si mund t’u shërbejmë klientëve në mënyra më efektive.
Shqipëria është anëtare e Grupit të Bankës Botërore. Ne jemi një organizatë bashkëpunuese që u përket qeverive dhe popujve të botës. Kështu, donim të dëgjonim zërat shqiptarë lidhur me mënyrën si mund të bëhemi një institucion më efektiv.
Presidenti ynë i ri, Ajay Banga, po udhëheq një proces që do të na ndihmojë të mendojmë sesi të mund të skicojmë një udhërrëfyes drejt transformimit tonë si institucion në të ardhmen, kështu që kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e konsultimeve globale që po zhvillojmë për këtë proces.
A2 CNN: Banka Botërore po mendon për dokumentin e quajtur “Udhërrëfyesi i transformimit”. Konkretisht çfarë do të thotë?
Mountfield: Udhërrëfyesi për transformimin i Grupit të Bankës Botërore është diçka që na është kërkuar nga aksionerët tanë ta hartojmë. Në të vërtetë, po marrim në konsideratë tri gjëra. Njëra është si të transformojmë objektivat tona si institucion, duke njohur ndryshimet masive që po ndodhin në botë.
Tradicionalisht, ne jemi përqendruar shumë për të ndihmuar vendet për të luftuar varfërinë dhe për t’i ndihmuar ato të rritin mirëqenien e përbashkët në mënyrë të barabartë, që mbështet një rritje nga e cila përfitojnë të gjithë dhe këto mbeten objektiva shumë të rëndësishme për ne.
Megjithatë, përpos tyre, ka një ndërgjegjësim, sidomos në dritën e pandemisë COVID-19 dhe të morisë së sfidave me të cilat po ndeshen vendet, se sfidat zhvillimore shkojnë përtej kufijve dhe kemi shumë sfida globale, si ndryshimi i klimës, konfliktet dhe dhuna, rreziqet e pandemive, për të cilat duhet të mendojmë në mënyra më globale.
Kësisoj, po ndryshojmë pozicionin tonë, për të qenë jo vetëm të përqendruar te puna për varfërinë apo mirëqenia, por edhe për të punuar për një planet të jetueshëm dhe për të ndihmuar në nxitjen e qëndrueshmërisë.
Aspekti tjetër i punës sonë është të mendojmë për mënyrën si punojmë me klientët tanë, për të parë nëse mund të bëhemi më efektivë në thithjen e financimeve private dhe atyre publike, gjithashtu, në mënyra më efikase; të punojmë më mirë në partneritet me qeveritë dhe me partnerët e tjerë për zhvillim të vendeve; dhe sesi të përmirësohemi në përgjigjen ndaj krizave.
Sigurisht, Shqipëria është një vend që së fundi është goditur nga një sërë krizash, ndaj si mund të bëhemi më të shpejtë në reagimin tonë ndaj këtyre lloj situatave. Më tej, pjesa e fundit e mozaikut tonë është të mendojmë për kapacitetin financues të Grupit të Bankës Botërore, ashtu si dhe të bankave shumëpalëshe, mbi mënyrat sesi t’i përdorim më efektivisht burimet tona, për t’u dhënë më shumë financime vendeve si Shqipëria, por edhe duke marrë në konsideratë sesi mund të vëmë në lëvizje më shumë fonde nga disa prej partnerëve tanë.
A2 CNN: Konkretisht për Shqipërinë, si do të përkthehet në praktikë? Cilat janë disa nga detajet?
Mountfield: Ne i hartojmë strategjitë e partneritetit me vendet duke punuar shume ngushtë me vetë vendin, duke folur me autoritetet qeverisëse, me aktorët, me sektorin privat dhe sapo kemi finalizuar një kuadër të ri partneriteti për Shqipërinë, që do të zbatohet gjatë viteve që vijnë, por mendoj se udhërrëfyesi ynë i transformimit i Grupit të Bankës Botërore do të luajë një rol të rëndësishëm lidhur me të.
Kështu, Shqipëria është ndoshta një nga vendet më të ekspozuara ndaj ndryshimeve të klimës në Evropë dhe, aktualisht, po përjetojmë temperatura shumë të larta këtu në Tiranë, Shqipëri, në Ballkanin Perëndimor dhe në pjesë të tjera të botës. Ndaj ndryshimi i klimës sigurisht do të ketë ndikime në bujqësi, që është një sektor me rëndësi në Shqipëri. Na duhet të mendojmë sesi të sigurohemi që gjërat që ndërtojmë, që Shqipëria ndërton, t’i rezistojnë ndryshimit të klimës dhe përshtaten me ndryshimet e saj në të ardhmen.
Na duhet të mendojmë sesi mund ta mbështesim Shqipërinë me investime në energjinë e ripërtëritshme. Shqipëria aktualisht kryeson për sa i takon energjisë së ripërtëritshme në Europë, por ka mundësi për investime të reja, përfshi sektorin hidrik. Duhet të mendojmë sesi të mund ta ndihmojmë Shqipërinë të tërheqë financime private. Disa prej investimeve në energjinë e ripërtëritshme do të jenë shumë të kushtueshme, më shumë nga ç’mund të financojnë fondet publike të vetme, pra si do të mund të ndërtojmë partneritete publike-private. Pastaj, mendoj, lidhur me reagimin ndaj krizave, qartësisht.
Siç e përmenda, vendi është goditur nga një numër krizash gjatë viteve të fundit, ndaj si mund të sigurohemi që Shqipëria të ketë burimet për të reaguar kur ndodhin krizat, por edhe për të planifikuar më mirë lidhur me krizat, që të mund të jemi gati të reagojmë kur shfaqet një e tillë. Dhe pjesa e fundit e mozaikut, mendoj, është si të punojmë për të dhënë më shpejt rezultate, duke punuar me qeverinë. Kemi zhvilluar mjaft diskutime të mira me autoritetet qeverisëse dhe me aktorë të tjerë për mënyrën sesi mund të përshpejtojmë proceset dhe t’i bëjmë ndërhyrjet tona të japin rezultate sa më shpejt të jetë e mundur për qytetarët shqiptarë.