Zvicër, sherr masiv mes tifozëve shqiptarë dhe atyre serbë

 

Ndeshja Shqipëri-Serbi përfundoi me humbje të Kombëtares sonë, por me një përshtypje të mirë që la sjellja jonë, e cila në fund u mor si ngushëllim për humbjen.

Por, në Zyrih të Zvicrës nuk ishte kështu! 2000 kilometra larg nga Elbasani, një grup tifozësh shqiptarë u takuan në rrugë me grupin tjetër kundërshtar, të tifozëve serbë. Kjo përplasje përfundoi me grushta, hedhje gurësh e shishesh ndërsa raportohet një persona i lënduar.

Sherri u ndez pas përfundimit të transmetimit të drejtpërdrejtë të ndeshjes që u bë në disa lokale në Oerlikon të Zyrihut. Tifozët nga të dyja kampet e kanë ndjekur me shumë interes dhe me emocione ndeshjen, shkruan policia në një komunikatë për medie të lëshuar të premten.

Madje edhe gjatë ndeshjes kanë ndodhur provokime para lokaleve ku bëhej transmetimi. Provokimet dhe konfliktet mes të tifozëve kulmuan pas përfundimit të ndeshjes kështu që u desh ndërhyrja e fuqishme e policisë së qytetit të Cyrihut, shkruan “20minuten.ch”. Madje kur policia provonte t`i ndante rivalët nga njëri-tjetri, ata në disa raste treguan agresivitet edhe ndaj policisë.

Disa prej tyre, me fytyra të maskuara kanë hedhur shishe dhe gurë në drejtim të policëve. Në fund policia u detyrua të përdorte edhe plumba gome dhe gaz lotsjellës për t`i qetësuar kampet “ndërluftuese”.

Por pas një qetësimi të shkurtër situata u rëndua sërish , duke u spostuar në rrugë të tjera të afërme. Atje, një pjesë e tifozëve huliganë goditën me shqelma veturat e parkuara që ishin të stolisura me flamuj kombëtarë të skuadrës kundërshtare.

Vetëm rreth orës 12.30 pas mesnate policia ka mundur të vendosë përfundimisht qetësinë. Por nga e gjithë kjo një polic që kishte marr lëndime nga gjuajtja me gurë u desh të trajtohej në mënyrë ambulatore në spital./Albinfo/

SHKARKO APP