Zyliha Miloti mbush 72 vjeç, “Koha Jonë” uron aktoren e madhe
Me një gjysmë shekulli karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe me më shumë se 250 premiera shfaqjeje, sot aktorja e madhe e humorit shkodran mbush 72 vjeç.
E vlerësuar për plastikën e talentin e jashtëzakonshëm, Zyliha Miloti është padyshim një nga artistet më të mëdha që ka prodhuar ndonjëherë vendi ynë. Shkëlqimi i saj si aktore nuk kornizohet veç në zhanrin e humorit, por shkon edhe përtej tij me role te shumta filmike dhe teatrore.
Për shkodranët dhe të gjithë shqiptarët anembanë botës, kjo “zojë e randë” mbetet e papërsëritshme në karakteret e interpretuara përplot pasion gjatë karrierës së saj.
Ajo dhe të gjithë kolegët e saj shkodranë, si; Tano Banushi, Zef Deda, Besnik Çinari, Paulin Preka, Sandër Ruçi, Drande Xhai, Katerina Biga, Gëzim Kruja, Edmond Halili, etj. ndër vite janë konsideruar “shkollë e humorit shqiptar” për nivelin e lartë të interpretimeve që kanë sjellë në Estradën Shqiptare.
Aktores së dashur, zonjës së bukur, të hijshme, me një buzëqeshje rrëzëllitëse e tipike me nur shkodraneje, gazeta “KOHA JONË” i uron shëndet e jetë sa më të gjatë.
Zyliha Miloti ka lindur në Shkodër më 11 janar të vitit 1946. Ende pa mbushur 14 vjeç, kohë kur ishte në klasën e 7-të, u paraqit për herë të parë para publikut si një këngëtare e vogël shumë e talentuar. Ndërsa si aktore humori, ajo e filloi në moshën 20 vjeçare në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës, pranë teatrit “Migjeni”.
Zyliha Miloti, numëron me qindra role në karrierën e saj të shkëlqyer, ndërsa galeria e personazheve që krijoi dhe eksperienca e saj bënë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara të skenës së humorit shqiptar. Krijoi figura grash prepotente e zotëruese ndaj burrave llafazanë apo edhe grash të llastuara, sikundër edhe femra snobe, malësore disi naïve, apo “burrnesha”, zyrtarë e intelektalë të kohës, etj..
Në aktrimin e saj, vërehen më pak elementët e groteskut, duke qenë më aktive te një humor me tone realiste e sjellja sa më pranë modeleve jetësore. E paarritshme në skenë, gjithmonë e respektuar dhe modeste, Zyliha Miloti është një artiste me botë të pasur shpirtërore, në interpretimin e së cilës rrjedh natyrshëm humori shkodran.
Partnere e parapëlqyer e aktorit të mirënjohur, Tano Banushi sikurse edhe e Zef Dedës me të cilin ka luajtur shumë pjesë në Estradë (“Fotografia”, “Në spital”, “Kunati i shokut Xhemal”, “Truall i zënë”, “Toka jonë”, etj.).
Në vitin 2006 , Zyliha Miloti luajti rolin e Gjylit në pjesën, “Një histori e thjeshtë” të Edmond Mëhillit, në teatrin “Migjeni”, me të cilin fitoi çmimin si “Aktorja më e mirë” në Festivalin e aktrimit “Apollon 2006”.
Filmografia
Maya – (2011), Taja
Pak freskët sonte – (1994) (TV)
Dy herë mat – (1986)
Shoku ynë Tili – (1981)
/Albina Gjergji – Koha Jonë/