Zyrtarët grekë në Himarë, Rama: Mund të rindezë flamën e nacionalizmit nga ekstremistët
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me protestën e djeshme në Himarë, ku kërkohej lirimi i Fredi Belerit, me folës edhe zyrtarë të bashkive në Greqi.
Në një postim të gjatë në Facebook, kreu i qeverisë shprehu keqardhjen për ndërhyrjen e palës greke në një çështje të drejtësisë shqiptare, për ta paraqitur këtë çështje në Bruksel, si një çështje të të drejtave të minoritetit grek.
Po ashtu Rama thekson se protesta në Himarë mund të ndezë nacionalizmin nga ekstremistët.
“Sepse ky hap i hedhur si këmba e elefantit në një dyqan qelqurinash, mund të sjellë pasojën regresive të rindezjes së flamës së nacionalizmit, e të ndjenjave negative reciproke që ajo flamë lind në shtresa të keqinformuara e në grupe të caktuara ekstremistësh, të cilët i mezipresin këto raste me bidon benzine në dorë, gjë që as nuk e dyshoj një sekondë se jo vetëm unë dhe qeveria shqiptare, po as kryeministri dhe qeveria greke nuk e dëshirojnë hiç asfare”.