Zyrtari i DASH kundër korrupsionit takon Dumanin dhe prokurorët në SPAK, Richard Nephew: Fund pandëshkueshmërisë

Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global i qeverisë Amerikane, Richard Nephew ndodhet në Tiranë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë.

Një takim pasditen e sotme pati dhe me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorë të SPAK si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të drejtësisë.

“Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew pati sot takim me institucionet gjyqësore shqiptare. Ai gjatë takimeve me kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik theksoi mbështetjen e SHBA. Nephew dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së”.

Më parë pati një takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias shqiptare për të dëgjuar mbi pikëpamjet e tyre për luftën kundër korrupsionit dhe çuarjen përpara të transparencës në qeverisje. “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në shkallë globale, përfshirë duke mbështetur organizatat që luajnë një rol të rëndësishëm mbikëqyrës”,-ka thënë Nephew në takim, informon ambasada amerikane.

Zoti Nephew është takuar dhe me Arben Krajën, ish-shef i SPAK, tani prokuror në SPAK.

SHKARKO APP