Alarm i fundit/ Qindra sirianë dynden drejt Shqipërisë, panik për përhapjen e koronavirusit

Gazeta “Shqip” raporton se për Shqipërinë alarmi i fundit janë qindra sirianë, që shfrytëzojnë kufirin e gjelbër për të mbërritur në territorin shqiptar.

Pika me fluksin më të lartë të hyrjes së tyre është fshati Sinicë në Devoll, kur sirianët pa asnjë kontroll zbarkojnë në territorin shqiptar, në pamundësi për të udhëtuar me automjete, por edhe të pakontrolluar, kur dihet se ata kanë qëndruar me ditë të tëra edhe në Greqi, një vend tashmë me raste të shumta të prekur me koronavirus.

Policia ka ndaluar çdo ditë nga 30 sirianë, por asgjë nuk mund të bëhet për kthimin e tyre në Greqi, pasi kufiri është mbyllur. Nga ana tjetër mungojnë edhe kapacitetet për t’i futur ata në karantinë, apo të detyrohen për vetëkarantinim.

Shqipëria në rastin e pandemisë botërore nuk mund të ketë kapacitete për të përballuar edhe qindar sirianët që vijnë në territorin tonë, e kur dihet se dyshimet se mund të jenë të prekur me koronavirus janë në masë të shtuar.

Policia kufitare, me aq forca sa ka në pikat kufitare e ka thuajse të pamundur të ushtrojë kontrolle përgjatë kufirimit të gjelbër, por as Frontex i vendosur në pika strategjike të vijës kufitare nuk mund të ndalë fluksin e sirianëve.

Tashmë, pa asnjë mëdyshje mund të thuhet se sirianët që vijnë nga Greqia janë një rrezik më shumë për Shqipërinë. Ka nga ata që vijojnë rrugëtimin në këmbë dhe përfundojnë në qytetin e Korçës, sikurse është edhe kjo foto që shoqëron këtë shkrim.

Por a ka zgjidhje për këta sirianë? Vetë Policia nuk jep asnjë shpjegim, por këshilltarët mediatikë të ministrit Lleshaj, të kontaktuar nga Gazeta Shqip thanë se ky fenomen është vërtet rrezik, ndërsa shtuan se kushtet e mira atmosferike të ditëve të fundit e kanë shtuar fluksin e mbërritjes së tyre në Shqipëri.

Por, ndërkohë, shtojnë se UNHCR ka ngritur dy kampingje në pikat kufitare për këtë qëllim, por asnjë prej sirianëve nuk ka preferuar të qëndrojë në to, sepse, pas pak ditësh qëndrimi aty, ata detyrohen të rikthehen në Greqinë fqinje. Por mbyllja e kufirit dhe shtetrrethimi i vendosur tashmë në të gjithë Shqipërinë është një arsye për ta konsideruar këtë si një alarm, ku marrja e masave specifike është një detyrim për autoritetet.
Marrë nga gazeta “Shqip”

SHKARKO APP