Balla: Arratia nga drejtësia, po merr përgjigjen e duhur!
24 orët e fundit kanë qenë rezultative në parandalimin e disa ngjarjeve me pasoja, apo ndalimin e personave me rrezikshmëri të lartë që i fshiheshin drejtësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vlerësuar angazhimin e forcave të rendit, duke vënë theksin tek pritshmëritë për më shumë rezultate.
“Arratia nga përballja me drejtësinë, goditja e armëmbajtjes pa leje, parandalimi i dhunës në familje dhe i konflikteve me armë zjarri, po marrin përgjigjen e duhur çdo ditë. Përgëzime Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit për kapjen e dy personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, Drejtorive Vendore të Policisë Dibër dhe Vlorë për ndërhyrjen në kohë duke parandaluar përshkallëzimin e dy rasteve të dhunës në familje, duke arrestuar autorët dhe sekuestruar armë zjarri”, nënvizon Balla.
Teksa kemi hyrë në një fazë të shtuar të numrit të vizitorëve dhe pushuesve në vendin tonë, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën në territor për të luftuar paligjshmëritë.