“Biznesmeni i Vitit 2021” fiton Vasil Naçi
Si çdo vit, edhe këtë herë, KOHA JONE shpall disa çmime dhe Njeriun e Vitit. Kjo vjen nga tradita e hershme që kjo media ka patur që nga fillimi i saj. Ndërkohë çmimet vijnë si rrjedhojë e votimit online nga dhjetra mijë lexues në mbarë botën shqiptare/REDAKSIA KOHA JONE/
“Biznesmeni i Vitit 2021″ fiton Vasil Naçi
Sipërmarrës i suksesshëm, autor librash, trajnues motivues, filantrop, themelues, President & CEO i Agna Group (NENTITULL)
Vasil Naçi, diplomuar për Financë në Universitetin Bujqësor të Tiranës (1991) dhe Master në Administrim Biznesi (MBA) në Universitetin e New York-ut në Pragë (2007), ka marrë pjesë në shumë programe trajnimi mbi zhvillimin personal dhe profesional.
Energjia, përkushtimi, ambicia dhe besimi për sukses e ka shoqëruar që prej ditës së themelimit të kompanisë së tij të parë e deri më sot. Agna Group është kompania lider në FMCG në Shqipëri, ndërkohë që më shumë se 1500 persona janë të punësuar prej kompanive të portofolit të investimeve të tij.
Vasili është themelues dhe kryetar i Bordit Drejtues të “Agna Leadership Academy”. Ai lekton mbi tema si: lidershipi, menaxhimi, komunikimi, shitja, marketingu etj.
Përvojën dhe njohuritë e tij i ka sjellë si autor dhe bashkautor i nëntë librave që trajtojnë tema të rëndësishme për suksesin në biznes dhe zhvillimin personal, si: “Vlerat bazë & Bindjet për sukses”; “Sjellja e pëlqyeshme & Mençuria në komunikim”; “Komunikimi & Puna në skuadër”; “Si të bëhesh profesionist në shitje”; “Vetëdisiplina & Menaxhimi i kohës”; “Mendimi pozitiv & Vetëbesimi”; “Roli i Marketingut & Kreativiteti”; “Ligjet e suksesit & Burimet njerëzore” dhe “Rruga jonë, rruga drejt suksesit”.
Dëshirat dhe ëndrrat e Vasilit si sipërmarrës, themelues dhe CEO i Agna Group, ideator, krijues dhe lektor në Agna Leadership Academy, trajnues i mbi 15000 personave, shkojnë përtej arritjes personale. Sfida e brendshme e tij është të kontribuojë e të shtojë vlerë në komunitetin ku jetojmë.
Pas 30 vitesh përvojë në biznes, por edhe investimi të pareshtur në njohuri, me besimin e patundur te rëndësia e të qenit nxënës i përjetshëm çdo ditë dhe prej kujtdo, e kryesisht prej mësuesve më të mirë me famë botërore, Vasil Naçi ka zgjedhur të kontribuojë dhe të ndajë me publikun e gjerë eksperiencën dhe mësimet e tij në biznes dhe në jetë. Ai beson se rritja dhe zhvillimi i vazhdueshëm garantojnë sukses afatgjatë për çdo individ dhe organizatë. Për këtë, që prej vitit 2016 ka krijuar dhe zhvillon çdo vit event-trajnimin motivues më të madh në rajon “Rruga drejt suksesit” dhe në 2021 startoi trajnimin dedikuar suksesit në biznes “Mjeshtëro biznesin”. Të ardhurat nga këto dy evente shkojnë për bamirësi, konkretisht për përmirësimin e kushteve të fëmijëve jetimë.
Për investimet, punësimin dhe kulturën e të bërit biznes korrekt, votuesit e kanë votuar si “BIZNESMENI I VITIT 2021”.