10 mijë të vdekur. Pse po i ndodh kjo pikërisht Italisë?
Italia nuk është më e njëjta. Pandemia e Covid-19 i ka marrë jetën mbi 10 mijë personave dhe ka lënë të prekur më shumë se 92 mijë njerëz. Qytetet e adhuruara nga shumëkush për kulturën, gatimin cilësor dhe peizazhet mbresëlënëse, tashmë janë shndërruar në një ”ferr”, ku fotot e vetme janë ato të kamionëve ushtarakë të mbushur me kufoma. Vendi me 60 milionë banorë renditet i dyti për sa i përket të infektuarve nga virusi vdekjeprurës. Shumëkush pyet se çfarë po ndodh në Itali, pse kaq shumë vdekje?
Për ti dhënë një përgjigje ferrit të zi që ka mbështjellë Italinë, një nga epidemiologët më të shquar italianë, Massimo Galli, shefi i repartit infektiv në spitalin Sacco të Milanos, thotë se metoda e testimit italiane nuk ka dhënë një dimension real të infektuarve. ”Janë shumë më shumë”, thotë ai, që shton se në vendin e tij vetëm personat me simptomat më të rënda dhe se janë me mijëra që presin ende të testohen. ”Kemi një shërbim shëndetësor shumë të mirë, veçanërisht në Milano por edhe ky sistem nuk mund të përballonte këtë valë”.
Italia ka mesataren e jetëgjatësisë më të lartë në Europë dhe të dytën në botë pas Japonisë dhe mesatarja e të prekurve nga Covid-19 në Itali të jetë 78-vjeçare, shumë prej tyre të ngarkuar me probleme të shumta, karakteristike të moshës, që virusi thellon në mënyrë shpesh herë fatale.
KA SHPRESË!
Edhe pse ditët janë gri dhe të zeza, shpresa vjen nga spitalet, ku 102-vjeçarja Italica Grondona u shërua nga COVID-19 dhe është pacientja më e vjetër në botë që arrin diçka të tillë. “E quajmë Highlander, e pavdekshme”, thotë për të mjekja që i ka ndenjur pranë.