143 vende të botës i thanë jo luftës, veç 4 vende me Moskën
Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe njëherë tjetër u tha jo luftës ruse në Ukrainë.
143 vende kanë votuar rezolutën që dënon sulmin rus ndaj Ukrainës, të filluar në shkurtin e këtij viti, dhe veçanërisht vendimin e Moskës për të aneksuar provincat ukrainase ku u zhvilluan referendumet, Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson.
Votimi tregoi qartë edhe vendet e pakta, por jo pa peshë, që mbështesin ose të paktën nuk i kanë kthyer shpinën Moskës.
Ishin 35 vende që abstenuan, duke përfshirë këtu Kinën, Indinë dhe Afrikën e Jugut, ndërkohë që vetëm 4 vende votuan kundër, Bjellorusia tashmë aleat zyrtar i Kremlinit, Koreja e Veriut, Siria që mbahet me ndihmën e trupave ruse dhe Nikaragua.
Për votimin ka reaguar edhe presidenti amerikan Joe Biden, që deklaroi se ”votimi dha një sinjal të qartë, Rusia nuk e zhduk dot një vend sovran nga harta”.