2 në çdo 100 emigrantë janë luftëtarë të ISIS

Dy në çdo 100 emigrantë sirianë, që po i drejtohen Europës, janë fanatikë të Shtetit Islamik.

Kështu i tha ministri i Arsimit në Liban, Elias Bousaab, kryeministrit britanik, David Cameron gjatë një vizite në këtë rajon.

Ai tha se ata po udhëtojnë kryesisht nga Turqia dhe Greqia.

“ISIS po rritet në mënyrë të frikshme”, tha ai.

“Po bëhen të rrezikshëm pasi rekrutojnë fëmijë në shkollë, rekrutojnë kudo”, tha ai.

“Bota duhet të zgjohet dhe të bëjë diçka për këtë”.

Në një tjetër zhvillim, Hungaria ka bllokuar pikën kryesore kufitare për të penguar futjen e refugjatëve nga Serbia, disa orë para se të hyjnë në fuqi masat e rrepta për ndjekjen penale të atyre që kalojnë kufirin ilegalisht.

Dhjetëra policë, të mbështetur nga njësi me kuaj si dhe ushtarë, qëndronin roje tek shinat e trenit ku kalojnë refugjatët në itinerarin për në Bashkimin Evropian.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, udhëheqësi evropian që ka shprehur kundërshtimet më të forta ndaj planeve për të lejuar sistemimin në Evropë të refugjatëve nga Siria dhe vende të tjera, foli në një ceremoni të diplomimit të kadetëve në Budapest. Ai tha se ligjet e reja kundër emigrantëve parashikojnë dënime me burgim dhe ndëshkime të rënda për trafikantët.

“Hungaria është një vend me një kulturë të krishterë prej 1000 vjetësh. Ne hungarezët nuk duam këtë dyndje me përmasa globale që ta ndryshojë Hungarinë. Nuk kemi punuar që të vijë puna këtu, nuk kemi luftuar në luftra botërore, nuk kemi vuajtur në komunizëm dhe për rrëzimin e atij regjimi dhe më pas në krizën ekonomike. Ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një tjetër koncept të së ardhmes hungareze dhe evropiane. Ne duam të jetojmë në një shoqëri ku sundon rendi, paqja dhe siguria. Nuk duam kaos”.

SHKARKO APP