
Spanja është zhytur në zi pas aksidentit tragjik hekurudhor, ku përplasja e dy trenave të shpejtësisë së lartë u mori jetën të paktën 68 personave, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në vend, ndërsa autoritetet janë angazhuar për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka shpallur tri ditë zie zyrtare, më 29, 30 dhe 31 tetor, në nderim të viktimave. Ai ka garantuar se hetimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe se çdo përgjegjësi e mundshme do të trajtohet me seriozitet.
“Nëse ka pasur neglizhencë, ajo do të zbulohet, dhe nëse ka pasur dështime në sistemin e sigurisë, do të ketë një reagim me gjithë vendosmërinë”, deklaroi Sánchez, duke theksuar se në këtë moment përparësi mbetet ndihma për të plagosurit dhe mbështetja për familjet e viktimave.
Kreu i qeverisë spanjolle e cilësoi të papranueshme që vendi të përballet me dy aksidente hekurudhore të këtij lloji brenda të njëjtit vit, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë e transportit hekurudhor.
Mbreti Felipe VI ka shprehur dhimbjen për tragjedinë, duke përcjellë ngushëllimet për familjet që humbën të afërmit dhe mbështetjen për personat e plagosur. Në shenjë respekti për viktimat, ai ka anuluar aktivitetet e planifikuara për ditët në vijim. Disa parti politike kanë anuluar angazhimet publike. Autoritetet dhe ekipet e shpëtimit vijojnë punën, ndërsa vendi pret përgjigje të qarta mbi shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme.
