45 ditë si kryeministre, Liz Truss gaboi në gjithçka
Nga Helen Lewis “The Atlantic”
Në mars 1841, William Henry Harrison u bë presidenti i nëntë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai mbajti fjalimin më të gjatë inaugurues në historinë e vendit: 1 orë e 45 minuta. Harrison u sëmur pas disa ditësh, dhe pas vetëm 32 ditësh në krye të vendit ndërroi jetë për shkak të pneumonisë dhe mjekësisë ende amatore të shekullit XX-të.
Sipas zërave të vazhdueshme, Harrison u sëmur që në inaugurimin e tij në detyrë. Këtu në Britani, kryeministrja Liz Truss mori një goditje të ngjashme vdekjeprurëse nga zhvillimi i parë madhor në qeverinë e saj: nisjen e zbatimit të një plani ekonomik, që synon ta shndërrojë Britaninë në një parajsë libertariane të taksave të ulëta.
Vetëm 6 javë që nga nisja e mandatit, ambiciet e saj e kanë futur në një spirale fatale. Truss kandidoi për kryeministre me premtimin për të nxitur rritjen ekonomike. Por ajo shkaktoi trazira në tregjet financiare, një rënie të ndjeshme të monedhës kombëtare, paundit, si dhe një rënie të mprehtë të mbështetjes nga anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Konservatore.
Edhe në këto kushte, ajo thotë se dëshiron ta udhëheqë partinë e saj në zgjedhjet e ardhshme, a thua se besueshmëria e saj nuk ka pësuar asnjë dëmtim nga këto dështime të bujshme që në fillim të mandatit.
Përkushtimi i saj i gjatë ideologjik ndaj qasjes “Britannia Unchained” (Britania e çliruar) ka rezultuar tërësisht rezistent ndaj fakteve dhe rrethanave në ndryshim. Më 23 shtator, Truss
pa se si Kwasi Kwarteng – Ministri i saj i Financave, aleati i ngushtë në parti dhe miku i saj personal – parashtroi një “minibuxhet” që do të ulte taksat mbi ata që fitonin më shumë, do të hiqte kufizimin mbi bonuset e bankierëve, dhe do të anulonte një rritje të planifikuar të taksave mbi korporatat.
Ai tha se kjo ishte “paketa ndihmëse më e madhe ndër breza”. Opozita e majtë e urrente – uljen e taksave për milionerët, ndërsa shtresa e mesme po përballet me faturat e larta të energjisë, inflacionin e shfrenuar dhe rritjen e kostove të banesave – por po ashtu edhe tregjet financiare.
Vlera e obligacioneve të qeverisë ra ndjeshëm, gjë që vuri në dyshim pagesën e pensioneve. Pesë ditë më vonë, Banka e Anglisë u detyrua të ndërhynte dhe ta stabilizonte ekonominë britanike. Pra një kryeministre e së djathtës kishte zbatuar dogmën ekonomike tipike për këtë rrymë politike dhe tregu i lirë u drodh nga tmerri.
Në fillim të këtij muaji, ndërsa Partia Konservatore e Truss u mblodh për konferencën e saj vjetore, presioni nga kolegët e shtyu kryeministren të hidhte poshtë politikën e saj më toksike: uljen e taksave për të pasurit.
Ajo foli mbi këtë poshtërim, me një fjalim aspak dinjitoz duke sulmuar cilindo që e kritikoi dhe e cilësoi si pjesë të “koalicionit kundër rritjes ekonomike”. “Këta njerëz preferojnë të flasin më mirë në Twitter sesa të marrin vendime të vështira… Ata japin të njëjtat përgjigje të vjetra. Kërkojnë gjithmonë më shumë taksa, më shumë rregullime dhe më shumë ndërhyrje”- tha ndër të tjera ajo.
Por as ky kundërsulm retorik i Truss nuk mundi të rivendoste qetësinë në tregjet apo Partinë Konservatore në pushtet. Të gjithë e panë sesi u thërrmua autoriteti i Truss dhe Kwarteng. “The Economist” vuri në dukje se nëse nuk merret parasysh periudha zyrtare e zisë për nder të së ndjerës Elizabeth II, Truss ka qeverisur për 7 ditë.
Ose afërsisht sa jetëgjatësia e një bime maruleje. Madje një gazetë tabloide, u hap një ditë me imazhin e një perimeje të kalbur, për të parë se cila do të rezistonte më shumë. E dëshpëruar për të mbetur në pushtet, Truss e shkarkoi të premten e shkuar zotin Kwarteng. Edhe pse nismat e debatueshme ishin nënshkruar nga ajo vetë. Zëvendësuesi i Kwarteng, Jeremy Hunt, paraqiti gjatë një daljeje për mediat të gjitha politikat e preferuara ekonomike të Truss. “Tani objektivi më i rëndësishëm për vendin tonë tani është stabiliteti”- tha ai duke rrëzuar thuajse të gjitha vendimet për ulje të taksave të shpallura nga “mini-buxheti.
Edhe subvencioni për faturat e energjisë u reduktua ndjeshëm. Shpejtësia dhe kolapsi i fortë i Liz Truss ka qenë befasues, sidomos sepse vetëm 3 vjet më parë paraardhësi i saj, Boris Johnson, i fitoi zgjedhjet e përgjithshme me një shumicë mbresëlënëse prej 80 vendesh më shumë.
Atëherë çfarë ka shkuar keq? Gjithçka. Që nga marrja e detyrës, Truss ka bërë një sërë veprimesh të gabuara. Ajo krijoi një kabinet me njerëz pranë saj që i përkisnin linjës së ashpër, në vend se të bazohej tek madhësia e partisë së saj. Ajo e shkarkoi nëpunësin më të lartë civil të Thesarit, pasi ai ishte shumë i dhënë pas ortodoksisë fiskale.
E shkarkoi strategun që organizoi fitoren e zgjedhjeve të 2019-ës. Shefi i saj i kabinetit e ka kaluar të gjithë mandatin e tij i përfshirë në skandale, pasi u zbulua se ai paguhej nga një kompani e tij e vjetër lobimi, në vend se të merrte një rrogë normale nga qeveria.
Për më tepër, ajo nuk e përgatiti vendin për uljen e taksave ndaj më të pasurve. Me sa duket, ajo ishte e sigurt se adhurimi i medias së djathtë do të mjaftonte për ta bindur pjesën tjetër të Britanisë, se milionerët ishin grupi që tani kishin më shumë nevojë për pushim.
Ditët e fundit, sondazhet kanë treguar se konservatorët jo vetëm që do të humbin zgjedhjet e ardhshme, por ata nuk do të jenë më partia e dytë më e madhe në parlament. Nëse gjërat nuk marrin ndonjë kthesë të beftë, konservatorët britanikë rrezikojnë të pësojnë një disfatë shumë të rëndë të ngjashme me atë që pësoi e djathta në Kanada në vitin 1993.
Në këto rrethana, në skenë kanë filluar të paraqiten pasardhësit e mundshëm. Hunt, Ministri i ri i Financave, ka kandiduar pa sukses 2 herë për lidershipin e partisë dhe për rrjedhojë të kryeministrit, ndaj do të donte një shans tjetër.
Penny Mordaunt, të cilin Truss e mposhti gjatë verës, tha së fundmi se Truss po fshihej “nën tryezën e punës” në vend se të përballej me parlamentin. Rishi Sunak, një tjetër rival i mposhtur, është gjithashtu shumë aktiv këto ditë, i gatshëm të theksojë se paralajmërimet e tij që ranë në vesh të shurdhër mbi politikat ekonomike të Truss, rezultuan të jenë të sakta.
Nga ana tjetër aleatët e Boris Johnson po sugjerojnë që Britania ta kthejë këtë të fundit në krye të detyrës, sipas stilit të Berlusconit, për një mandat tjetër. Në fillim të këtij viti, shkrova se Truss po ecte në mesin e një “uragani” ekonomik.
Për disa arsye, ajo vendosi që reagimi më i mirë ndaj tij ishte të injektonte në ekonomi grushte me para në formën e shkurtimit të taksave. Por ka dështuar sepse u ngjit në krye duke i thënë aktivistëve më të zjarrtë të partisë së saj atë që ata donin të dëgjonin.
Truss dështoi sepse është një mbështetëse e rilindur Brexit. Tashmë ajo e kishte gëlltitur gënjeshtrën se realiteti mund t’i përkulet ideologjisë. Ajo dështoi edhe sepse në një sistem kryeministror, mund të pritet që udhëheqësit të zbatojnë edhe premtimet e tyre më të papërgjegjshme. Ndaj lidhja midis veprimit dhe pasojës është shumë e qartë.
Liz Truss u përpoq të kopjonte politiken e Margaret Thatcher, po pa e kuptuar se Britania e vitit 2022 nuk ngjan aspak me Britaninë e vitit 1979, as nga demografia dhe as nga problemet ekonomike. Për fat të keq, premtimet e saj po përfundojnë si fjalimi inaugurues i William Henry Harrison.
Përktheu: Alket Goce