5 arsye pse Viktor Orbán i humbi zgjedhjet dhe çfarë e pret Hungarinë tani
Nga Enver Robelli
Pas 16 viteve në krye të shtetit hungarez, epoka e Viktor Orbánit ka përfunduar: kreu i qeverisë me mandatin më të gjatë në një vend të BE-së ka humbur zgjedhjet parlamentare. Që gjatë votimit të së dielës, Orbán u shfaq çuditërisht i përulur: ai tha se ishte aty për të fituar, por në fund duhej “respektuar vendimi i popullit”. Qytetarët e ushtruan këtë të drejtë në numër më të madh se kurrë ndonjëherë në historinë e re të Hungarisë: me një pjesëmarrje rekord prej gati 80 për qind – vlera më e lartë që nga fundi i komunizmit në vitin 1989 – hungarezët votuan për të ardhmen e vendit të tyre. Në mbrëmje, Orbán e pranoi humbjen e tij habitshëm shpejt.
Në fjalimin e tij të fitores para një turme gjigante, lideri i deritanishëm i opozitës, Péter Magyar, tha: “Së bashku e çliruam Hungarinë dhe rrëzuam regjimin e Orbánit.” Magyar madje ka arritur shumicën vendimtare prej dy të tretash. Me këtë, ai tani mund të shkarkojë zyrtarë të rëndësishëm të emëruar nga Orbán. Pse përfundoi marshimi triumfal i Orbánit pikërisht tani? Një përpjekje për shpjegim në pesë kapituj.
1. Hungaria ka humbur hapin ekonomikisht
Viktor Orbán u konsiderua për një kohë të gjatë si garantues i stabilitetit; ai dinte mjeshtërisht t’i mobilizonte mbështetësit e tij me parulla patriotike dhe t’i bënte shumë prej tyre të përfitonin nga resurset e shtetit. Me norma rritjeje që herë pas here shkonin deri në gjashtë për qind, kjo llogari doli e saktë për një kohë të gjatë.
Ndërkohë, Hungaria është kthyer nga fundi në listën e lulëzimit ekonomik në Evropën Qendrore dhe Lindore. Që nga viti 2019, çmimet e ushqimeve janë rritur me rreth 80 për qind. Sipas Transparency International, Hungaria konsiderohet si vendi më korruptuar i BE-së dhe paraqet shtetin ligjor më të dobët.
Për këtë arsye, Brukseli ka ngrirë 18 miliardë euro për vendin. Gjendja e mjerueshme ekonomike ishte rrjedhimisht nxitësi kryesor i pakënaqësisë kundër Orbánit dhe partisë së tij Fidesz, e shoqëruar me një lodhje të thellë shoqërore. Shumë njerëz ishin të mendimit: 16 vjet janë mjaft! Në fund, zgjedhjet duket se i vendosi më shumë portofoli sesa shqetësimi i drejtë për demokracinë.
2. Opozita garoi e bashkuar me një lider të fortë
Ndryshe nga katër zgjedhjet e fundit, ku opozita ishte e fragmentuar, e përçarë dhe pa një figurë udhëheqëse të besueshme, këtë herë ishte ndryshe. Lideri i deritanishëm i opozitës, Péter Magyar, është insajderi më i rrezikshëm që sistemi i Orbánit ka prodhuar deri më tani – dhe ai, me partinë e tij Tisza, e sfidoi hapur kryeministrin.
Magyar, një jurist 45-vjeçar, rrjedh nga elita e Budapestit dhe ishte pjesë e aparatit të pushtetit për vite me radhë, përpara se në vitin 2024 të shkëputej në mënyrë spektakolare nga qeveria. Shkak u bë një skandal pedofilie, i cili i kushtoi me post ish-bashkëshortes së tij, ministres së Drejtësisë Judit Varga. Magyar e akuzoi Orbánin se po i sakrifikonte gratë për t’ua lënë fajin, ndërkohë që elita po pasurohej.
Në fushatën elektorale, Magyar tregoi një shkathtësi të jashtëzakonshme mediatike: fushatat njollosëse të qeverisë ai i kundërshtoi me humor në rrjetet sociale, duke arritur kështu masat që ishin zhgënjyer prej kohësh nga politika. Ai gjithashtu kaloi më shumë kohë në provincë sesa në Budapest apo qytete të tjera të mëdha, ku Orbán ka humbur mbështetjen prej vitesh. Magyar nuk ligjëroi për tema abstrakte, por foli për shqetësimet e përditshme të qytetarëve – nga çmimet e larta të ushqimeve deri te mungesa e letrës higjienike në spitale.
Programi i tij është një përzierje e luftës kundër korrupsionit dhe nacionalizmit. Ai premton shtet ligjor dhe pranga për elitën e korruptuar, por në të njëjtën kohë mbron kërkesat për energji të lirë ruse. Për disa ai është shpresa për një Hungari të re, për Orbánin thjesht një tradhtar. Ka diçka shekspiriane në këtë: me Péter Magyar, në skenë ka hyrë Bruti modern hungarez.
Ai nuk do të synojë eskalimin e marrëdhënies me BE-në, as nuk pritet të bllokojë ndihmat për Ukrainën. Se a do ta ndjekë gjithmonë Brukselin, mbetet e hapur. Fokusimi i tij është i brendshëm: ai dëshiron të çmontojë sistemin autoritar, të forcojë institucionet dhe të garantojë lirinë e mediave. Përmes anëtarësimit në Prokurorinë e BE-së, synohet gjithashtu të bëhet i mundur ndjekja penale e Orbánit dhe besnikëve të tij.
Tani Magyar duhet të tregojë se mund të bëjë më shumë sesa të mbajë thjesht fjalime të ashpra. Me një përvojë politike prej vetëm dy vitesh në Parlamentin Evropian, Magyar tani me shumë gjasa do të ngjitet në fron si kryeministri i ardhshëm i vendit. Shkrimtari György Dalos i tha autorit të këtij shkrimi pak para zgjedhjeve se ai shihte “ngjashmëri ndonjëherë pothuajse rrëqethëse” midis Magyar dhe Orbán: Magyar është tejet inteligjent, i zhdërvjelltë dhe i talentuar.
3. Korrupsioni në rrethin e ngushtë të kreut të qeverisë ishte tepër i dukshëm
Në fund, asnjë mbështetje nuk ndihmoi. Në fushatën zgjedhore të SHBA-së në vitin 2024, Donald Trump e përmendi mikun e tij hungarez Viktor Orbán 103 herë; në shkurt pasoi vizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Marco Rubio në Budapest – kjo ishte një ndihmë e hershme dhe aktive në fushatë. Pak para zgjedhjeve, në kryeqytetin hungarez aterroi zëvendëspresidenti i SHBA, J. D. Vance, dhe inskenoi së bashku me Donald Trump një telefonatë për Orbánin – por entuziazmi në Hungari ishte i kufizuar.
Më parë, Orbán kishte humbur kontrollin në një miting të tij: i fishkëlluar nga mbështetësit dikur besnikë, ai i fyu ata si tradhtarë në shërbim të Ukrainës. Ky moment u bë ndoshta kthesa vendimtare në favor të opozitës. Në këtë sfond, paraqitja e Vance u duk si një përpjekje e dëshpëruar e lëvizjes MAGA për të nxjerrë nga balta kalin e tyre të Trojës në Evropë.
Zëvendëspresidenti i SHBA e shoqëroi misionin e tij me sulme të ashpra kundër burokratëve, sipas tij, të pafytyrë të BE-së, të cilët donin t’u tregonin hungarezëve se si të jetonin, si të luteshin, si të flisnin dhe si të qeverisnin. Por, ndërsa Trump dhe ndjekësit e tij shihnin te Orbán ekzekutuesin e një agjende nacionaliste-konservatore, hungarezët i kishin drejtuar sytë te problemi i vërtetë: korrupsioni në rrethin më të ngushtë të kreut të qeverisë.
Ndër njerëzit më të pasur të Hungarisë sot numërohen dhëndri i Orbánit si dhe një ish-shok shkolle. Ky i fundit arriti të ngjitej nga një instalues i thjeshtë ngrohjeje në miliarder. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai është një sipërmarrës i pavarur – apo shërben thjesht si maskë për pasurinë e kryeministrit.
Edhe familja e Orbánit është e përfshirë drejtpërdrejt: prona luksoze dikur habsburge në Hatvanpuszta, jo larg Budapestit, zyrtarisht figuron në emrin e babait të tij. Deri më tani, besnikët e Orbánit thuhet se kanë përvetësuar deri në pesë miliardë euro në vit nga fondet shtetërore. Metodat janë sa të thjeshta aq edhe efektive: përmes projekteve ndërtimore sistematikisht të mbisvlerësuara, mjete të mëdha buxhetore devijohen në kanale private.
4. Agjitimi kundër BE-së doli huq
Pak para zgjedhjeve të së dielës, Viktor Orbán pothuajse e humbi vetëpërmbajtjen. Ai iu drejtua mbështetësve të tij me këtë tiradë antievropiane: “Ju jeni të mëdhenj, jeni të fuqishëm, jeni lëvizja politike më e rëndësishme në Evropë. Një lëvizje nacional-patriotike që mbron atdheun tonë kundër frymës liberale të kohës dhe shtypësve nga Brukseli. Brukseli është një fole gjarpërinjsh. Ne jemi i vetmi vend pa emigracion. Ne mbrojmë familjet tona dhe dëbojmë aktivistët LGBTQ nga shkollat. Miqtë e mi, Brukseli ka vendosur të hyjë në luftë. Ata janë gati të dërgojnë të tjerët në vdekje. Ata janë gati të dërgojnë edhe më shumë armë dhe edhe më shumë para në Ukrainë.”
Por edhe ky sulm mbeti pa efekt. Krerët e BE-së qëndruan të heshtur për të mos i dhënë Orbánit asnjë pretekst për akuza të reja. Ata e lanë kryeministrin afatgjatë të fliste me veten e tij. Megjithatë, më së voni që nga mesi i marsit, kur Orbán bllokoi me veto ndihmat financiare për Ukrainën në samitin e BE-së, shumë krerë shtetesh dhe qeverish e kishin të qartë: edhe në rast të një fitoreje zgjedhore, Orbán nuk do të tolerohej më gjatë.
5. Me fushatën kundër Ukrainës, Orbán humbi besueshmërinë
Rëndësia e këtyre zgjedhjeve shkon shumë përtej kufijve të Hungarisë. Që nga kriza e refugjatëve në vitin 2015, Orbán është radikalizuar gjithnjë e më shumë dhe është bërë një model global për të djathtën ekstreme në Evropë dhe në SHBA.
Fakti që Orbán kërkoi një politikë më të rreptë emigracioni në BE nuk ishte në vetvete skandal. Problemi i vërtetë ishte se ai e instrumentalizoi temën e refugjatëve për të zhvilluar sistematikisht fushatë kundër Evropës. Ai e udhëhoqi suitën e tij si kolonë të pestë e Vlladimir Putinit në BE. Fakti që ministri i Jashtëm i Orbánit raportonte sekretet e Brukselit në Moskë pothuajse me linjë direkte, nuk befasoi më askënd. Në fushatë, kjo doli të ishte veçanërisht e dëmshme.
Edhe fushata dashakeqe kundër presidentit ukrainas Vollodimir Selenski, të cilin e akuzonte se po grabiste miliardat e BE-së dhe po e tërhiqte Evropën më thellë në luftë, nuk piu më ujë te shumica e hungarezëve. Imazhet e vazhdueshme të armikut janë konsumuar. Përveç kësaj, politika më restriktive e BE-së ndaj emigrantëve bëri që Orbán të mos shfaqej më si i vetmi që përcaktonte tonin në këtë temë.
Orbán u vetëmburr pandërprerë si njeriu i fortë që mbron vlerat e krishtera – dhe si i vetmi politikan në Evropë që i merr seriozisht shqetësimet e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, ai u dha strehë politikanëve të korruptuar nga Polonia dhe Ballkani, injoroi mekanizmat demokratikë të kontrollit dhe nënshtroi hap pas hapi institucionet e rëndësishme e të pavarura në vullnetin e tij – duke përfshirë edhe mediat.
Në këto zgjedhje, ai humbi përfundimisht besueshmërinë – sepse ai e kishte tepruar. Këtu nuk ndihmoi më as mbështetja nga Kremlini. Po aq pa efekt mbetën lutjet e krerëve të qeverive çeke dhe sllovake drejtuar fqinjëve hungarezë për t’i dhënë Orbánit edhe një shans tjetër. Të dy janë vetë populistë që përballen me akuza për korrupsion.
Rrjedhimisht, i madh është zhgënjimi te popullistët e djathtë evropianë. Holandezi Geert Wilders shkroi në X: “Orbán ishte i vetmi lider në BE me ‘topa’. I rreptë me emigracionin dhe anti-woke (…) Një ditë e trishtë. Por ne vazhdojmë luftën!”
Adhuruesit e Trumpit në Evropë po shfaqen këto ditë dukshëm të distancuar nga idhulli i tyre. Presidenti i SHBA është i bllokuar në konfliktin e Iranit dhe rrezikon të mbetet në histori si një padron lufte pa cak. Ndërsa lëvizja e tij MAGA është thellësisht e ndarë, retorika e vazhdueshme antievropiane e Trumpit po shkakton irritim edhe te mbështetësit e tij të zjarrtë, nga Portugalia në Francë e deri në Gjermani.
Por Orbán nuk do të ishte Orbán nëse nuk do të qëndronte i palëkundur përkundër humbjes historike. Ai tha: “Kemi kaluar kohë edhe më të vështira, ne nuk dorëzohemi – kurrë, kurrë, kurrë”.
KOHA JONË SONDAZH

