6 shtete nismë për hapjen e Hormuzit: Gati për të kontribuar në kalimin e sigurt të naftës në Ngushticë

Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Holanda dhe Japonia kërkojnë moratorium të menjëhershëm global për sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë instalimet e naftës dhe gazit, duke deklaruar gjithashtu qëllimin e tyre për ta rihapur atë.

Teksti i deklaratës së përbashkët:

Dënojmë me forcën më të madhe sulmet e fundit të ndërmarra nga Irani kundër anijeve tregtare të paarmatosura në Gjirin (Persik), sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë impiantet e naftës dhe gazit, si dhe mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit nga forcat iraniane.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shprehim shqetësimin tonë të thellë për përshkallëzimin e konfliktit. I bëjmë thirrje Iranit të ndalojë menjëherë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa dhe çdo përpjekje tjetër për të bllokuar ngushticën për lundrimin tregtar, si dhe të përputhet me rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Swiss Digital Mobile Reklama

Liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, edhe sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit. Pasojat e veprimeve të Iranit do të ndihen nga njerëzit në çdo pjesë të botës, veçanërisht nga më të pambrojturit.

Në përputhje me rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, theksojmë se ndërhyrje të tilla në lundrimin ndërkombëtar dhe ndërprerja e zinxhirëve globalë të furnizimit me energji përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në këtë kuadër, kërkojmë një moratorium të menjëhershëm global për sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë instalimet e naftës dhe gazit.

Shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të garantuar kalimin e sigurt përmes Ngushticës. Mirëpresim angazhimin e vendeve që po vijojnë me planifikimet përkatëse përgatitore.

Mirëpresim vendimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për të autorizuar një çlirim të koordinuar të rezervave strategjike të naftës. Do të ndërmarrim masa të tjera për të stabilizuar tregjet e energjisë, përfshirë bashkëpunimin me disa vende prodhuese për të rritur prodhimin.

Gjithashtu, do të angazhohemi për të ofruar mbështetje për vendet më të prekura, edhe përmes Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Siguria detare dhe liria e lundrimit janë në dobi të të gjitha vendeve. I bëjmë thirrje të gjitha shteteve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të mbrojnë parimet themelore të prosperitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?