70-vjetori i Luftës së Dytë Botërore, paradë madhështore në Moskë

Filloi në Sheshin e Kuq parada kolosale për 70-vjetorin e fitores sovjetike kundër nazizmit. Nën një mot të qetë, me një qiell me pak re, po parakalojnë 15 000 ushtarë rusë, 1 300 ushtarakë të huaj, rreth 200 mjete të blinduara dhe 143 avionë dhe helikopterë, në atë që është njoftuar si parada më e madhe e Rusisë moderne.

Pjesa më e madhe e liderëve perëndimorë e kanë bojkotuar paradën për shkak të rolit të Moskës në krizën ukrainase.

Më pak se gjysma e 68 liderëve të ftuar gjenden në tribunë, ndërkohë që për 60-vjetorin ishin të pranishëm 53 shefa shtetesh dhe qeverish.

Ndërmjet të ftuarve bie në sy presidenti kinez, Xi Jinping. Veç tij janë presidentët e Indisë, Afikës së Jugut dhe Kubës.

Ndodhet edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon.

Parada e sotme bëhet edhe për të treguar fuqinë ushtarake ruse. Autoritetet do të mundësojnë kalimin në paradë edhe të tankut, tip T-14, prodhimi i fundit i teknologjisë moderne ruse.

Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Francës nuk janë në paradë, por do të marrin pjesë në vendosjen e kurorave në Varrin e Ushtarit të Panjohur, në kopshtet ”Aleksandrovskij”.

Nesër, në vendosjen e luleve në këtë varr do të jetë kancelarja gjermane, Angela Merkel, që më pas do të pritet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

SHKARKO APP