70-vjetori i Luftës së Dytë Botërore, Rusia Obamës: Eja tek ne ta përkujtojmë
Moska ftoi presidentin amerikan, Barack Obama si dhe shumë shefa shtetesh për të përkujtuar në maj 70-vjetorin e fitores së aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, njoftoi sot një këshilltar i Kremlinit.
“Sigurisht”, deklaroi me seriozitet Juri Uçakov si përgjigje ndaj një kërkese mbi dërgimin e një ftese për presidentin amerikan.
“Lista e të ftuarve është përpunuar duke u bazuar në listën e përvjetorit të fitores. Sigurisht që ne ftojmë të gjitha vendet e koalicionit antihitlerian, aleatët tanë, partnerët tanë më të rëndësishëm dhe më influencë si dhe ato që përbëjnë vendet e BRICS-it”, theksoi ai.
Sipas Uçakovit, lideri koreanoverior Kim Jong Un mund të jetë gjithashtu i pranishëm në Moskë me rastin e këtyre përkujtimeve që pritet të zhvillohen më 9 maj, pasi edhe atij i është dërguar një ftesë.
Çdo vit, Rusia feston fitoren e Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore të 9 majit, pasi kapitullimi u nënshkrua më 8 maj në mbrëmje në Berlin, ose 9 maj në Moskë. Gjatë kësaj date çdo vit zhvillohet një paradë ushtarake në ”Sheshin e Kuq”, gjatë së cilës Moska përpiqet të reklamojë fuqinë e saj ushtarake.
Aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë dhe konflikti i përgjakshëm mes rebelëve prorusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës ka shkaktuar krizën më të rëndë në marrëdhëniet mes Rusisë dhe perëndimorëve që prej Luftës së Ftohtë.
KOHA JONË SONDAZH

