8 ”ushtarët” me të cilët Putin po bën luftën në Ukrainë (FOTO)
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në luftën ndaj Ukrainës ka pas vetes tetë ”ushtarë”. Një analizë e fundit ka nxjerrë në pah se kush janë këshilltarët e Putinit, të cilët janë në postet kryesore të shtetit dhe që kanë lidhje të ngushta me Putinin. Në këtë ”kabinet”, është vetëm një femër dhe ajo është Valentina Matviyenko, Kryetare e Këshillit të Federatës. Kjo e fundit mbikëqyri vulosjen e dislokimin të forcave ruse jashtë vendit, duke i hapur rrugën pushtimit.
Sergei Shoigu, Ministër i Mbrojtjes
I besuari i Putinit prej kohësh që gjithmonë i ka qëndruar stoik linjës ideologjike dhe vendimeve për çmilitarizimin e Ukrainës, si dhe mbrojtjen e Rusisë nga i ashtuquajturi kërcënim ushtarak i Perëndimit. Shoigu dhe udhëheqësi i Rusisë, shpesh janë parë në udhëtime së bashku, si dhe duke gjuajtur apo duke peshkuar në Siberi. Lufta po vë në diskutim çdo gjë, duke shtuar madje dyshimet dhe frikën e Putinit ndaj çdo njeriu. Në një foto të këtyre ditëve, u pa kreu i forcave të armatosura, Sergei Shoigu, i ulur në fund të tavolinës, me një distancë të konsiderueshme nga Putini.
Valery Gerasimov, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
Si shef i shtabit, ai ka luajtur një rol të madh në fushatat ushtarake të Vladimir Putin që kur ai komandoi një ushtri në Luftën Çeçene të vitit 1999, dhe ishte gjithashtu në ballë të planifikimit ushtarak për Ukrainën, duke mbikëqyrur stërvitjet ushtarake në Bjellorusi, muajin e kaluar. I përshkruar si një “njeri që nuk buzëqesh kurrë”, gjenerali Gerasimov luajti gjithashtu një rol kyç në fushatën ushtarake për aneksimin e Krimesë. Disa raporte sugjerojnë se tani ai është lënë mënjanë për shkak të situatës jo të mirë të luftës në Ukrainë.
Nikolai Patrushev, Sekretar i Këshillit të Sigurimit
Një nga tre besnikët e Putinit që ka bashkëpunuar me të që nga vitet 1970 në Shën Petersburg. Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tri ditë para pushtimit, Patrushev hodhi hipotezën e çuditshme se “qëllimi konkret” i SHBA-së, ishte shpërbërja e Rusisë.
Alexander Bortnikov, Drejtor i Shërbimit Federal të Sigurimit të Federatës Ruse
Presidenti i beson informacionit që merr nga shërbimet e sigurisë, më shumë se çdo burimi tjetër, dhe Alexander Bortnikov është njeriu i brendshëm që i përcjell të dhëna me devotshmëri Putinit. Një dorë e vjetër e KGB-së së Leningradit, mori edhe drejtimin e FSB-së, njësoj si Nikolai Patrushev.
Sergei Naryshkin, Drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Huaj
Me Sergei Naryshkin, plotësohet rrethi i ngushtë i presidentit Putin. Treshja e vjetër e Leningradit, ish-agjentë të KGB-së, njihen si “siloviki”, ose zbatues. Sergei Naryshkin ka qëndruar përkrah presidentit në pjesën më të madhe të karrierës së tij. Kur u pyet për vlerësimin e situatës në Ukrainë, Shefi i Inteligjencës, duket se nuk u shpreh ashtu si presidenti do të dëshironte, pasi Putini iu përgjigj: “Nuk është kjo ajo që po diskutojmë”.
Sergei Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë
Për 18 vjet, ai ka qenë diplomati më i lartë i Rusisë. Prej kohësh, ai ka qenë i anashkaluar nga çdo gjë që ka të bëjë me Ukrainën, megjithatë së fundmi është shfaqur shumë aktiv, edhe me deklarata të forta se nëse mund të nisë Lufta e Tretë, ajo do të jetë bërthamore.
Valentina Matviyenko, Kryetare e Këshillit të Federatës
Një fytyrë e rrallë femër në rrethin e Putinit, ajo mbikëqyri vulosjen e dislokimin të forcave ruse jashtë vendit, duke i hapur rrugën pushtimit. Valentina Matviyenko është një tjetër besnike e Putinit nga Shën Petersburg, e cila ndihmoi gjithashtu në aneksimin e Krimesë, në vitin 2014. Por nuk konsiderohet të jetë vendimmarrësja kryesore.
Viktor Zolotov, Drejtor i Gardës Kombëtare
Ish-truproja e presidentit, Zolotov drejton Gardën Kombëtare të Rusisë, “Rosgvardia”, e formuar nga Presidenti Putin vetëm gjashtë vjet më parë, si një lloj ushtrie personale, në stilin e një garde pretoriane të ngjashme me perandorinë romake. Viktor Zolotov e ka rritur numrin e gardës në 400 000 persona.