9 nëntori 1989 – Një ditë e paharrueshme per Gjermanine

Por Bashkimi Sovjetik, i udhëhequr nga reformatori Gorbaçov, nuk përdori dhunën, ashtu si edhe pushtetarët komunistë në Berlinin Lindor. Një “zgjidhje kineze”, si masakra në Sheshin e Paqes në Pekin, ishte e përjashtuar. Më 9 nëntor 1989 lëvizja për liri nuk u shtyp më brutalisht si në vitin 1953 në Gjermaninë Lindore, në 1956 në Hungari, në 1968 në Çekosllovaki. Rënia e Murit qe fundi kulmor i revolucionit paqësor në Gjermaninë Lindore.

 

9 nëntori qe një ditë e një natë e gëzimit dhe e lotëve. Ajo i preku gjermanët emocionalisht. Ajo ktheu dhe bëri të shpërthejnë ndjenjat e harruara dhe të shtypura, dëshirat për bashkim në të dyja anët, dëshirat për liri në Lindje. Ishte si një dehje, që i kaploi gjermanët dhe berlinezët. Një ndjenjë lumturisë, që na la të gjithë pa mend atëherë. Një ditë e një natë e ndjenjave të papërshkrueshme, që bëri të qartë se as 40 vjet ndarjeje nuk e kishin thyer ndjenjen e të qënit bashkë, gjë që për shumicën prej nesh ishte befasuese. Dhe aty doli fjala e paharrueshme e Willy Brandtit, “Tani bëhet bashkë ajo, që është një.” Por ka qenë një konvergjencë, që nuk u drejtua kundër askujt, sidomos jo kundër fqinjëve. Revolucioni paqësor e ankoroi Gjermaninë në mesin e Evropës.

Revolta e gjermanolindorëve drejtohej kundër diktaturës komuniste, kundër “shtetit kujdestar”, që kontrollonte gjithçka, siç thuhej në një libër të ndaluar, por shumë të lexuar atëherë në RDGj. Ajo ishte një kryengritje për një vend të hapur, ku njeriu të mos ishte më i mbyllur brenda. Prandaj thirrja për lirinë e udhëtimit ishte aq në qendër. Thirrja për më pak shtet nuk ishte aq e fortë.

Dhe prandaj është ironi e historisë, që në ADN-në e përbashkët politike të Gjermanisë së ribashkuar bën pjesë dëshira e gjermanëve në perëndim dhe në lindje për një “shtet të fortë dhe që kujdeset.” Kryengritja “kundër shtetit”, ishte një rebelim kundër “atyre atje lart”, por jo rebelim për një shoqëri të hapur.

Gjermania pas 9 nëntorit është bërë më protestante dhe lindore dhe më e butë ideologjikisht, më pak kontroverse ideologjikisht, mund të thuash se edhe më e majtë. Dhe ajo përfaqësohet dhe qeveriset nga dy gjermanolindorë: Presidenti gjerman Joachim Gauck dhe kancelarja Angela Merkel. Tek të dy vëren ndikimin e përvojave të jetës në RDGj dhe me RDGj-në. Dhe nganjëherë kjo edhe është kritikuar. Por kjo është e përditshmja normale politike, që nuk ndan me të vertetë lindjen dhe perëndimin. Uniteti i brendshëm është më tepër se ç’besojnë shumë. Dhe ai ka nisur në ndjenjën e lumturisë së përbashkët të datës 9 nëntor 1989.

SHKARKO APP