97-vjeçarja thyen rekordin në garat e vrapit, 4 javë pas operacionit në zemër

Grace Chambers, 97 vjeçe ka hyrë në histori si Parkrunner-i më i moshuar në Europë që arrin pragun e 250 vrapimeve. Ajo e shënoi këtë arritje të jashtëzakonshme duke përfunduar 5 kilometrat në Ormeau Park, në pjesën jugore të Belfastit.

E pabesueshmja është se vetëm katër javë më parë Grace iu nënshtrua një operacioni në zemër, por kjo nuk e pengoi që të merrte pjesë në garën e së shtunës. “Jam mbi hënë që e përfundova,” tha ajo pas vrapimit. Chambers nisi udhëtimin e saj me Parkrun në vitin 2016, kur një anëtar i ekipit të saj të rehabilitimit i sugjeroi aktivitetin si mënyrë për t’u mbajtur aktive. Me pak inkurajim nga vajza e saj, ajo mori pjesë për herë të parë dhe u bë menjëherë “ylli” i ngjarjes. “Të gjithë thoshin: ‘Kjo grua në të 80-at mendon se mund të bëjë Parkrun’. Dhe ua tregova unë,” tha ajo me humor.

Që atëherë, Grace është bërë pjesë e rregullt e komunitetit, duke thyer rekorde në kategorinë e saj të moshës dhe duke fituar respektin e qindra vrapuesve nga e gjithë Irlanda e Veriut. Madje, gjatë pandemisë, kur Parkrun u pezullua, ajo vazhdoi ta bënte vetë çdo javë, duke regjistruar kohët e saj dhe duke i dërguar më pas tek organizatorët.

Swiss Digital Desktop Reklama

As një këmbë e thyer gjatë pandemisë nuk e ndali. Pas rikuperimit, ajo u rikthye menjëherë në pistë. Sot, në çdo fundjavë, dy miket e saj Cathy dhe Sue e shoqërojnë gjatë garës. Në nder të saj, pranë vijës së finishit në Ormeau Park është vendosur edhe një stol me mbishkrimin: “Grace’s Bench, Park runner extraordinaire”, ku ajo shpesh pozon për fotografi me adhuruesit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Shumë personalitete kanë ardhur ta takojnë, përfshirë kampionen olimpike Dame Kelly Holmes, e cila madje vrapoi krah saj. “Kelly donte të fliste gjatë rrugës, por unë i thashë: ‘Hajde Kelly, po më ngadalëson’,” tregoi Grace me të qeshur. Në garën e 250-të ishte i pranishëm edhe doktori që i zëvendësoi valvulën e zemrës, kardiologu Jonny Mailey, i cili u shpreh i mahnitur: “Ajo është fantastike dhe ajo që ka arritur është e pabesueshme, një testament i forcës së saj si person.”

Edhe organizatorët e Parkrun në Belfast e cilësojnë Grace si një “legjendë lokale”, ndërsa deputetja e zonës Claire Hanna tha: “Urime të paimitueshmes Grace. Ajo është frymëzim për shumëkënd.”  97-vjeçarja e merr me thjeshtësi këtë arritje: “Shumë njerëz bëjnë gjëra shumë më të jashtëzakonshme se kjo. Por nëse unë frymëzoj dikë tjetër të fillojë vrapin, atëherë është fantastike”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?