A do ta përballojë Zelensky skandalin e madh të korrupsionit në rrethin e tij?

-Botuar në radion “Europa e Lirë”-

Një skandal korrupsioni që përfshin Tymur Mindichin, po del të jetë sfidë e madhe politike për ish-partnerin e tij biznesor, presidentin e tanishëm të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn.

Mindich dhe të dyshuarit tjerë akuzohen se kanë kërkuar miliona dollarë nga përfituesit e kontratave në sektorin e energjisë. Zelensky ka vendosur sanksione dhe e ka distancuar veten prej tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

Skandali rrezikon të dëmtojë besimin e Qeverisë së Zelenskyt brenda dhe jashtë shtetit, teksa vazhdon lufta e Rusisë kundër vendit të tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

Figura qendrore në skandalin e korrupsionit, që e ka shkundur Ukrainën, Tymur Mindich, është mik i vjetër dhe ish-partner biznesi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Burimet nga sektori për zbatim të ligjit kanë thënë se Mindich është larguar nga shteti pak para se policia të bënte kërkime në shtëpinë e tij.

Prokurorët raportohet t’i kenë thënë gjykatës se e posedojnë një thirrje telefonike të incizuar në të cilën Zelensky dëgjohet duke folur me një tjetër subjekt të hetimit, ministrin e Drejtësisë, Herman Halushchenko, derisa Halushchenko ka qenë në një thirrje telefonike në grup me Mindichin dhe Oleksandr Tsukermanin, ndihmës që është akuzuar gjithashtu nga shteti.

Hollësitë e bisedës me Halushchenkon dhe të komunikimit me Mindichin nuk dihen, ndërsa Zelensky nuk është nën hetime. Mirëpo, lidhjet e tij me Mindichin janë vetëm njëra arsye pse skandali duket se përbën sfidën më të madhe të tij, prej zgjedhjeve të vitit 2019.

Si komedian që e ka imituar rolin e presidentit në një emision televiziv të prodhuar nga kompania në pronësi të tij dhe Mindichit, Kvartal 95, Zelenesky ka qenë emër që i ka habitur të gjithë kur i ka fituar zgjedhjet presidenciale.

Thirrjet për paqe kanë qenë në qendër të fushatës së tij në kohën kur lufta e forcave ruse në rajonin lindor të Donbasit ishte duke gëluar.

Mirëpo, lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, e ka lënë politikën në hije, duke e mbrojtur Zelenskyn nga sfidat me të cilat do të përballej secili lider në kohë të paqes.

Kushtetuta e Ukrainës e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve në gjendje lufte, e cila është shpallur prej ditës së parë të nisjes së pushtimit rus. Për më shumë, ukrainasit kanë shfaqur unitet të madh në nisje të luftës, fenomen që e ka forcuar Zelenskyn dhe qasjen e tij ndaj luftës, e cila sipas shumë vëzhguesve, besohej se do ta gjunjëzonte shtetin brenda ditësh.

Megjithatë, përgjatë kësaj kohe, Zelensky ka pasur momente të sikletshme politike, sikurse mospajtimi i hapur me gjeneralin ushtarak, Valeriy Zaluzhniy, dikur në krye të ushtrisë ukrainase, çka e ka shtyrë zyrtarin e lartë ushtarak të heqë dorë nga detyra, duke i rritur spekulimet se ai mund të garojë për president, sapo të mbahen zgjedhjet në të ardhmen.

“Krizë politike e pakontrollueshme”

Uniteti në kohë lufte i ka zbehur dallimet mes forcave politike. Mirëpo shkalla e rastit të korrupsionit, të njohur si Operacioni Midas, e bën situatën jo fort të lehtë.

Përtej efekteve të menjëhershme, skandali “mund të kthehet në forcë shtytëse për shumë konflikte të brendshme politike dhe situata tjera vitin e ardhshëm, sidomos në rast të përfundimit të luftës dhe mbajtjes së zgjedhjeve pas luftës”, ka thënë njohësi ukrainas i çështjeve politike, Volodymyr Fesenko në disa përgjigje për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL).

“Sfida kryesore socio-politike është që të gjendet një baraspeshë e pranueshme në mes të nevojës për hulumtim të plotë të rastit dhe ruajtjes së stabilitetit politik për shkak të luftës, në mënyrë që të shmanget një krizë politike e pakontrollueshme”, ka thënë Fesenko.

Dhe nuk janë vetëm lidhjet e Zelenskyt me Mindichin dhe të tjerët e përfshirë në hetime, që e rrezikon figurën e presidentit.

Ekzistojnë dhe faktorë tjerë që mund ta dëmtojnë rëndë besimin në Zelenskyn dhe Qeverinë e tij, nisur prej ushtarëve në vijën e frontit e deri te përkrahësit e Kievit në Perëndim.

Specifikat e skandalit, i cili ka shpërthyer në kohën e sulmeve të vazhdueshme ruse në infrastrukturën ukrainase të energjisë, lidhen direkt me luftën dhe mandatin kryesor të Qeverisë: mbrojtjen e shtetasve ukrainas.

Të dyshuarit akuzohen se kanë kërkuar 10-15 për qind fitim nga nënkontraktorët privatë të Energoatomit, operatorit shtetëror të centraleve bërthamore të Ukrainës, dhe ka sinjale se në këtë rast mund të jenë përfshirë edhe kontrata për kryerjen e instalimeve për t’i mbrojtur objektet e energjisë.

Vlera e përqindjeve që besohet se kanë përfituar të dyshuarit shkon në rreth 100 milionë dollarë.

Vëmendje të madhe është duke marrë edhe fakti që Byroja Kombëtare kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër Korrupsionit (SAPO) kanë qenë duke kryer hetime 15 muaj para se hetimi të bëhej publik këtë javë.

Ky detaj i ka rritur edhe më shumë dyshimet për tentimin e dështuar të Zelenskyt dhe aleatëve të tij në korrik për të zvogëluar pavarësinë e këtyre dy agjencive, të cilat janë konsideruar si kryesore në përpjekjet e Kievit kundër korrupsionit. Dyshimet janë mos ai ka tentuar të rrënojë hetimin.

Deri më tani, nuk ka asnjë sinjal se protestat në rrugë e kanë detyruar Zelenskyn që të përmbysë vendimin për NABU-n dhe SAPO-n, ndonëse faktorët kanë qenë krejt të ndryshëm – në protesta është kundërshtuar ligji që ai e ka nënshkruar.

Teksa Rusia vazhdon t’i hedhë poshtë thirrjet për armëpushim, skandali vetëm i ushqen politikanët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët ka kohë që janë të shqetësuar për korrupsionin dhe kanë dilema për ndihmën e dërguar në Ukrainë.

Kjo mund të nënkuptojë që do të rritet presioni ndaj Kievit që të bëjë koncesione territoriale kundrejt Moskës. (marrë me shkurtime nga REL)

Përgatiti: Krenare Cubolli

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?