A do të dalë më e fortë apo më e dobët BE-ja nga kriza e koronavirusit?
Nga Timothy Garton Ash, The Guardian
Një vit më parë, ne mësuam me habi se Italia po hynte në një bllokim kombëtar për të luftuar një virus të ri të çuditshëm, që me sa duket kishte ardhur nga Kina. Brenda dy javësh, Spanja, Franca dhe Britania e Madhe ndoqën të njëjtin veprim. Tani jemi një vit më vonë, ende në gjendje të jashtëzakonshme.
Po punojmë nga shtëpia dhe jetojmë në internet. Maskat e fytyrës dhe distanca 2 metra nga qeniet e tjera njerëzore duken si diçka thuajse normale. Gjuha jonë e përditshme ka fituar një imazh krejtësisht të ri:“vala e dytë”, “rrafshimi i kurbës”, “imuniteti i tufës”, “varianti britanik”.
Pas një shekulli demografët do të gjurmojnë efektet afatgjata të këtij viti pandemik. Disa thonë se ka tashmë një “GjeneratëC”.Ka pasur edhe më herët momente të tjera të përvojës së përbashkët evropiane, si protestat e vitit 1968 apo fundi i Luftës së Ftohtë.
Por për të gjetur një moment që prek njëkohësisht kaq shumë njerëz, duhet të kthehemi në Luftën e Dytë Botërore. Në çfarë momenti tjetër që nga viti 1945, kemi qenë kaq të ndërgjegjshëm se veprimet tona individuale dhe ato të qeverive tona, mund të përcaktojnë drejtpërdrejt nëse ne dhe ata që duam do të jetojmë apo vdesim?
Megjithatë, kësaj here evropianët kanë luftuar jo me njëri-tjetrin, por me një armik të përbashkët. Dhe ky kërcënim i përbashkët duhet të na kishte bërë bashkë që të gjithë.
Por a ndodhi diçka e tillë? Dhe çfarë ndodh kur solidariteti zbehet, dhe kur ndikimet e ndryshme afatgjata bëhen më të dukshme?
A do të dalë BE nga kjo krizë më e fortë apo më e dobët? Deri më tani, përgjigja e BE-së ndaj Covid-19 ka sjellë një sukses por edhe një dështim të madh. Suksesi është marrëveshja e verës së kaluar për një buxhet 7-vjeçar dhe për një fond evropian të rimëkëmbjes (i quajtur ndryshe si BE e Brezit të Ardhshëm), me një total të kombinuar prej më shumë se 1.8 trilionë dollarësh.
Ky vendim, që futi në zbatim borxhin e përbashkët evropian, ishte hapi më i madh në integrimin ekonomik që nga futja e monedhës së përbashkët. Ai i jep mundësi BE-së
të ndihmojë të gjitha vendet e saj anëtare që ato të rimëkëmben ekonomikisht dhe “të ndërtojë më mirë”.
Dështimi i madh, ka qenë përpjekja për të treguar se vetëm BE-ja mund t’i shpërndajë shpejt dhe në mënyrë të barabartë vaksinat për të gjitha vendet anëtare. Tabloidi kryesor gjerman “Bild”, i kënaqi mbështetësit e Brexit me një titull në faqen e parë, që u thoshte britanikëve “Ne ju kemi zili!”.
Tani Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke po marrin vaksina nga Kina ose Rusia, ndërsa Austria dhe Danimarka po zhvillojnë një partneritet për prodhimin e vaksinave me Izraelin. Ky është dështimi personal i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionerit dhe departamentit përkatës.
Komisioni Evropian e ka trajtuar këtë krizë me shumë paaftësi, pasi nuk ka kompetenca. Shëndeti publik është kryesisht një kompetencë kombëtare, në kuptimin e autoritetit të caktuar ligjërisht. Për pasojë institucionet e BE-së nuk kanë kompetenca, në kuptimin e aftësisë dhe përvojës për të bërë një punë të mirë.
Për më tepër, kjo ishte për të keqkuptuar që në fillim atë që BE bën mirë. Për shkak se unioni është kaq shumë i komplikuar – duhet të marrë parasysh pikëpamjet e 27 qeverive kombëtare, 3 institucioneve të ndryshme të Brukselit dhe disa grupimeve të partive evropiane -ai lëviz në mënyrë të pashmangshme me ngadalë.
Por me krizën aktuale prioritet duhej të ishte shpejtësia, gatishmëria për të ndërmarrë rreziqe, dhe për ta vënë jetën e njerëzve para burokracisë. Brukseli do të kishte bërë më mirë po të kishte marrë një rol më modest dhe kryesisht lehtësues që prej fillimit, duke mbështetur shtetet më të varfra dhe më të vogla, që përndryshe do të ishin në rrethana më të pafavorshme se të tjerët në përpjekjet për të blerë vaksinat e pakta në dispozicion.
Leksioni kryesor që duhet nxënë? Gjatë 3 viteve të ardhshme, BE duhet të ketë në fokus mbajtjen e premtimeve. Një sondazh i fundit i realizuar nga ekipi im kërkimor në Universitetin e Oksfordit, nënvizon atë që kanë gjetur edhe analistët e tjerë:legjitimiteti i BE-së buron më shumë nga ajo që jep sesa nga procesi politik dhe institucional me të cilin arrin atje.
Kështu, ndërsa një shumicë e madhe e të anketuarve thanë se është e rëndësishme të kemi një Parlament Evropian, jo më pak se 59 për qind ishin dakord me deklaratën se “për sa kohë që BE vepron në mënyrë efektive, prania ose mungesa e Parlamentit Evropian është dytësore për nga rëndësia”.
Në këtë pikë, gjëja e fundit që i duhet Evropës është një mori analizash në formën e Konferencës mbi të Ardhmen e Evropës, përgatitjet për të cilat po shoqërohen me një përplasje tipike ndërinstitucionale. Nëse udhëheqësit evropianë shqetësohen realisht për të ardhmen e Evropës, ata duhet ta braktisin idenë e kësaj konference.
Në vend të kësaj, do të ishte mirë që ata të përqendrohen mbi atë që mund të bëjë vërtet BE-ja për qytetarët e saj. Hapi tjetër është i ashtuquajturi “kalimi dixhital i gjelbër”, që do t’i lejojë evropianët e vaksinuar të udhëtojnë sërish nëpër kontinent. Liria e lëvizjes, është ajo që evropianët vlerësojnë mbi gjithçka tjetër.
Dhe liria për të lëvizur, është ajo që na ka munguar shumë gjatë këtij viti pandemik. Rikthimi i saj do të ishte një sukses i rëndësishëm për BE-në. Përtej kësaj, është detyra gjigante e sigurimit që fondi i rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh të shpenzohet shpejt, në mënyrë efektive dhe jo burokratike, por edhe në mënyrë jo korruptive, në mënyra nga të cilat të përfitojnë vërtet qytetarët e Evropës.
Ai duhet të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe shanseve të reja. Në aspektin politik, testi kryesor do të jetë nëse partitë pro-evropiane do të dominojnë jo vetëm në zgjedhjet e këtij viti në Holandë dhe Gjermani, dhe në zgjedhjet presidenciale të Francës vitin e ardhshëm, por edhe në Itali, Spanjë dhe Poloni, dhe në zgjedhjet e vitit 2024 për Parlamentin Evropian.
Me pak fjalë, BE përballet me një nga sfidat më të mëdha të ekzistencës së saj. Në vend se të humbë kohën në një konferencë mbi të ardhmen e Evropës, udhëheqësit evropianë duhet të stampojnë moton e kompanisë Nike në çdo derë të institucioneve të Brukselit:Just Do It (Thjesht veproni!).
Përktheu: Abcnews.al