A do të jetë anglishtja, gjuha zyrtare e BE-së pas Brexit?
Tashmë që Mbretëria e Bashkuar nuk është më zyrtarisht pjesë e Bashkimit Europian, a do të jetë ende anglishtja gjuha zyrtare?
Zërat se Europa mund të vijojë pa gjuhën angleze si pasojë e Brexit kanë nisur të përhapen që në fazat e para të negociatave për divorc.
Por komisioni Europian ka hedhur poshtë thashethemet se pas Brexit, anglishtja nuk do të jetë më gjuha zyrtare në Bashkimin Europian. KE-ja ka konfirmuar se anglishtja do të jetë gjuha zyrtare e BE-së.
Në një artikull të botuar në gazetën skoceze “The National” citohej një korrespodent i çështjeve europiane, i cili pohoi se anglishtja “do të bëhej vetëm një gjuhë pune, pasi vendet anëtare vendosën të mos e përdornin atë për përkthimet e dokumenteve.
” Këto deklarata u shpërndanë edhe nga “The New European”. Por BE-ja i mohoi thashethemet.
“Kjo nuk është aspak e vërtetë. Anglishtja do të mbetet gjuhë zyrtare.”, tha një zëdhënës i Komisionit Europian.
Anglishtja ka qenë një gjuhë zyrtare e bllokut që nga viti 1973. Në faqen zyrtare të Bashkimit Europian, blloku përsërit se edhe pas tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, anglishtja mbetet një nga gjuhët zyrtare të Irlandës dhe Maltës.
Si pasojë e referendumit britanik të qershorit 2016 komisioni europian ka theksuar se çdo modifikim i regjimit linguistik i institucioneve europiane do të jetë subjekt i votës unanime të këshillit europian.